Partia Demokratike ka reaguar për situatën e zjarreve në vend, duke bërë përgjegjëse qeverinë që, sipas saj, ka dështuar në marrjen e masave.
Me një deklaratë për shtyp, PD tha se qytetarët duhet të ruhen, pasi me kryeministër Edi Ramën paratë shpenzohen për lukse dhe situata e zjarreve do të jetë e njëjtë këtë verë dhe tjetrën, shkruan A2.
Deklarata e Partisë Demokratike:
“Nga Jugu në Veri, Shqipëria është pushtuar nga zjarret.
Ndërkohë që, u bëjmë thirrje banorëve, qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes të shtuar, të largohen sa më parë nga zonat e kërcënuara, dhe të ndihmojnë këdo në rrezik. Partia Demokratike shpreh indinjatën e thellë me reagimin minimalist dhe thuajse përqeshës të autoriteteve.
Jo vetëm ndërhyrjet bëhen me vonesë, por janë mungesa e alarmit dhe angazhimit që e bëjnë situatën të duket edhe më kaotike, kërcënuese dhe dëshpëruese.
Zjarret, përmbytjet, fatkeqësitë natyrore përsëriten në Shqipëri, si në të gjithë botën, dhe kjo nuk është në dorë të qeverive, por përgatitjet, gatishmëria, vullneti, janë detyrë dhe në dorë të tyre.
Siç e kemi parë prej vitesh, qeveria dërgon ushtrinë dhe zjarrfikësit, të cilët u sulen zjarreve me shkurre, me lopata dhe batanije, si në një vend të Botës së Tretë, apo të sapodalë nga lufta dhe në mungesë të mjeteve bazike.
Një pamje tjetër shohim prej tri javësh në Theth, Tiranë dhe gjithandej nëpër Shqipëri.
Për të shembur bujtinat në Theth dhe marrë para shitësit të rigonit në Sarandë, qeveria dërgoi IMT, Tatimet, Policinë dhe Ushtrinë, me mjete të rënda, me arrogancë, të armatosur deri në dhëmbë, në luftë me qytetarët.
Për Edi Ramën, prioritet absolut është uzurpimi i pushtetit lokal, jo zjarret dhe dhjetëra problemet që kërcënojnë qytetarët dhe jetën e tyre.
Për Edi Ramën, prioritet është spektakli me satelitët “Albania 1” dhe “2”, apo dronët për të cilët, pasi i hedh në Facebook për t’u mburrur nuk ka kush as t’i lexojë dhe as kush t’i komandojë. Sepse, Edi Rama e ka bërë ushtrinë e një vendi të NATOs, një organizatë që shkon të fikë zjarret me shkurre dhe pagure.
Prandaj, përballja me zjarret dhe fatkeqësitë natyrore që kërcënojnë qytetarët janë të mekura.
Do të jetë kështu këtë verë dhe tjetrën, sepse Edi Rama nuk kujtohet dhe as kujdeset për infrastrukturën e shtetit, për fondet e emergjencave, për modernzimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit. Paratë që i merr nga taksat i bën shpenzime luksi për vete dhe ministrat, udhëtime me charter, koncerte të shtrenjta apo kopësht 4 milion euro në oborrin e Kryeministrisë.
Edi Rama është me pushime, pasi bëri zhurmën me drejtorët, me heqjen e tendave dhe terrorizimin e Thethit, por zjarret nuk bëjnë pushim dhe pyjet, territori, bizneset, shtëpitë dhe jeta e qytetarëve është në rrezik.
Edi Rama nuk është zjarrfikës, por ai nuk mund të lejohet të jetë Kryeministri që hedh Shqipërinë në zjarr”. (A2 Televizion)