Kreu i FRPD, njëherësh kandidat për deputet i demokratëve për qarkun e Tiranës, Besart Xhaferri zbuloi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, detaje të rëndësishme nga kontrata e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA, e cila u bë publike nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Xhaferri saktësoi se kostoja e kontratës është 250 mijë dollarë dhe se ajo është lidhur nga një shoqatë shqiptaro-amerikane, me financimet e disa biznesmenëve, e që mund të ndërpritet pas tre muajsh.
“E para njëherë nuk është kontratë e PD. Ajo që paguan kontratën është një shoqatë shqiptaro-amerikane, që ka një kontratë të lidhur 250 mijë dollarë në muaj dhe që mund ta ndërpresë këtë kontratë. Po përfituesja e këtij lobimi, do të jetë PD. Dhe patjetër që PD duhej të jepte lejen që të lobohej. Këta biznesmenë të shoqatës shqiptaro-amerikane janë me emra, mbiemër, janë nënshtetas amerikane dhe janë deklaruar përballë gjithë instancave shtetërore siç e kërkon ligji amerikan. Pra nuk janë 220 mijë dollarë të dhëna në ndonjë garazh të Amerikës siç i jepte Agron Neza, McGonigal-it. Kjo është diferenca në lobim. Këto janë para të deklaruara në bankë nga këta biznesmenë. Diferenca e dytë mes PS dhe PD. Këtu është një praktikë shumë e ndershme dhe nuk është 6 milionë dollarë. Është 250 mijë dollarë në muaj dhe mund të zgjasë tre muaj”, zbuloi Xhaferri në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Më tej ai sqaroi se kompania që do të bëjë lobimin për rregullimin e marrëdhënieve të PD me Amerikën është në pronësi të avokatit personal të Presidentit Donald Trump.
“Do sqarohen marrëdhëniet e PD me Amerikën, të cilat u bënë lëmsh nga një lobim ilegal nga Charles McGonigal dhe Soros e të tjerë. Frika më e madhe që ka zënë të gjithë shtetin shqiptar është se kjo kompani lobimi që është paguar nga kjo shoqatë shqiptaro-amerikane është e avokatit personal të Donald Trump. Pasi PD ka marrëdhënien e shkëlqyer me kryearkitektin e fushatës, tashmë do të ketë një marrëdhënie të shkëlqyer me avokatin e Presidentit Donald Trump. Kjo kontratë është nënshkruar më 4 prill. Marrëdhëniet me SHBA është Edi Rama që nuk do i ketë më. Kjo pagesë për lobim bëhet nga një shoqatë jo fantazmë”, tha Xhaferri në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN. (A2 Televizion)