Energjia, punësimi dhe digjitalizimi, qeveria miraton 3 projektligje për financime nga BE

Nga A2 CNN
8 Maj 2025, 08:17 | Politikë

Energjia, punësimi dhe digjitalizimi, qeveria miraton 3 projektligje

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit edhe 3 projektligje të rëndësishme për ratifikimin e marrëveshjeve të financimit me Komisionin Evropian, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III). Këto marrëveshje përfshijnë programe shumëvjeçare në sektorët e energjisë, punësimit të të rinjve dhe zhvillimit të ekonomisë dhe shoqërisë digjitale, për periudhën 2024–2027.

Projektligji i parë i propozuar nga Kryeministri dhe miratuar nga Këshilli i Ministrave, ka në fokus ratifikimin e marrëveshjes për financimin e Programit Operacional për Energjinë. Ky program do të ndihmojë Shqipërinë në përmirësimin e eficiencës energjetike dhe promovimin e burimeve të rinovueshme, në përputhje me direktivat e BE-së për tranzicionin e gjelbër.

Projektligji i dytë lidhet me Programin Operacional për Punësimin e të Rinjve. Marrëveshja synon të mbështesë integrimin e të rinjve në tregun e punës, përmes trajnimeve profesionale, ndërmjetësimit të punës dhe nxitjes së sipërmarrjes së re. Ky program adreson drejtpërdrejt sfidat e papunësisë te të rinjtë, duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Projektligji i tretë ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes për Programin për Ekonominë dhe Shoqërinë Digjitale. Kjo marrëveshje synon rritjen e aksesit në teknologji dhe forcimin e infrastrukturës digjitale, në përpjekje për të afruar Shqipërinë me standardet digjitale të Bashkimit Evropian.

Të tre projektligjet pritet të kalojnë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos