Në mbledhjen e fundit të zhvilluar në 7 maj Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë vendimesh që kanë të bëjnë zhvillimin ekonomik dhe sigurinë e punonjësve të institucioneve shtetërore. Mes tyre, bien në sy ndryshimet ligjore në dokumentet e identifikimit, shpallja e një zone të re të zhvillimit ekonomik në Shijak, si dhe masa të reja për mbrojtjen e punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Me dy akte normative, qeveria bëri dy shtesa në ligjin për letërnjoftimin elektronik dhe pajisjen me pasaportë të shtetasve shqiptarë, duke përfshirë në tekstin ligjor pas fjalës vendbanim termin “brenda dhe...”, që synon të lehtësojë procesin e aplikimit për këto dokumente për qytetarët që jetojnë jashtë vendit.
“Në nenin 9/5, të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, pas fjalës “… vendbanim …” shtohen fjalët “… brenda dhe …”. Në nenin 14/4, të ligjit nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, pas fjalës “… vendbanim …” shtohen fjalët “… brenda dhe ….”:, thuhet në vendim.
Një nga vendimet kryesore është shpallja e zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Xhafzotaj, Shijak, me zhvilluesin “VERTIGO” sh.p.k., e cila do të shtrihet në një sipërfaqe prej mbi 135 mijë m². Zona do të presë industri të ndryshme, nga ajo përpunuese te teknologjia e informacionit, duke synuar rritjen e investimeve dhe punësimit.
Po ashtu, u miratuan masa për mbrojtjen e veçantë të punonjësve të AMP-së të kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës. Vendimi parashikon krijimin e një komisioni vlerësimi dhe ndërhyrje urgjente në rast kërcënimi serioz.
“Punonjësit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (në vijim AMP), të cilit, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i kërcënohet jeta, familja dhe prona nga veprime të paligjshme të të tretëve, i sigurohet mbrojtje e veçantë. Me mbrojtje të veçantë kuptohen masat me karakter organizativ e profesional për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë të jetës, familjes dhe të pronës së punonjësit të kërcënuar të AMP-së, si dhe çdo masë tjetër, që lidhet me këtë mbrojtje”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Ndër vendimet e tjera përfshihen miratimi i logos së Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, miratimi në parim i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Poloninë, si dhe ndryshime në projektin e shpronësimeve për linjën 110 kV Lushnjë–Fier.
Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
(A2 Televizion)