Ilir Capuni, deputet shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, ishte në një lidhje direkte me “Ditarin” e pasdites nga Pandi Gjata, në A2CNN, ku foli mbi komentet e kryeministrit malazez mbi “dy vende fqinje të angazhuara për të destabilizuar Malin e Zi”.
“Duhet ta kemi të qartë që njëri prej tyre është Serbia. Ky shtet “mik” e “vëlla” i ka shkaktuar deri tani dy tensione Malit të Zi, njëri lidhur me kolektorët dhe tjetri me statujën e çetnikut Pavlo Djuricic. Të dyja kanë qenë të përcjella me agjentë sekretë të Serbisë. Shteti tjetër nuk e dimë se cili është, por disa media e analistë kanë menduar që është Shqipëria, por nga qarqet e afërta të kryeministrit kemi dëgjuar që një shtet po bën lobing anti-malazez në Bashkimin Europian. Unë personalisht nuk besoj që është Shqipëria”, tha Capuni.
Sipas tij, ka një seri çështjesh të hapura mes Malit të Zi dhe Kroacisë e për këtë arsye, sipas tij, Kroacia “është treguar strategjikisht e kujdesshme”.
“S'kemi pasur gati asnjë çështje me Kroacinë deri në momentin kur Mali i Zi shkon dhe miraton një rezolutë kundër Kroacisë për kampin e Jasonovacit nga Lufta e Dytë Botërore, ku dënohet Kroacia ashpër dhe aty ndërron politika e Kroacisë. Siç e dini, shpallen tre persona kyç nga Mali i Zi “non grata”, duke filluar nga nënkryeministri, një deputet dhe kryetarin e Parlamentit”, tha deputeti shqiptar. (A2 Televizion)