Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka shpjeguar përmes një videomesazhi në X pse ka dhënë dorëheqjen në mbledhjen e qeverisë të mërkurën.
“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkolologji - inteligjencë artificiale - inovacion”, tha Sala, përcjell A2 CNN.
“Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi. I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë”.
Sala shtoi se në një vit që ajo ka mbajtur detyrën e ministre, janë bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. “Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur. Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar. Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund. Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!”, tha ajo. (A2 Televizion)