Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur të ulë dënimin me burg për biznesmenin italian Francesco Becchetti, duke e dënuar përfundimisht me 12 vite nga 17 vitet e vendosura më parë nga gjykata e shkallës së parë.
Ulja e dënimit u arrit përmes aplikimit të nenit 55 të kodit penal, i cili parashikon bashkimin e dënimeve të ndryshme në një të vetme, shkruan A2.
Becchetti ishte shpallur fajtor për krijimin e një skeme mashtrimi me TVSH dhe pastrim parash, duke u akuzuar për katër vepra penale: “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh” dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Në këtë proces, i akuzuari tjetër, Mouro de Renzis, u dënua përfundimisht me 12 vite burg, nga 16 vjet që ishte vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Ai u shpall fajtor për “Falsifikim të dokumenteve”, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Krijimin e skemave mashtruese” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”, dhe bashkimi i të gjitha akuzave në një të vetme solli uljen e dënimit me 4 vite.
Ndërkaq, dënimet për Eriona Troplinin dhe Liliana Condimitti u konfirmuan, secila me nga 8 vite burg. Vendimin në Apel e mori treshja gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Genti Shala, Brikena Ukperaj dhe Dritan Hasani. Aktualisht, Francesco Becchetti vazhdon të jetë në arrati dhe për të është lëshuar një mandat arresti ndërkombëtar. Procesi në Apel ndaj tij ishte shtyrë 20 herë që nga janari i vitit 2024. (A2 Televizion)