Kaosi në Kuvend do të vijojë edhe në seancën e të enjtes, qasje kjo e konfirmuar në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. Kreu Gazment Bardhi nuk dha detaje nëse do të ketë përsëri flakë, por garantoi se aksioni i opozitës nuk do të ndalet, raporton A2.
“Grupi ka vendosur që të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme. Strategjitë se çfarë do bëjmë, do t’i mësoni aty, mos prisni detaje nga reagimi i opozitës. Pjesa dërrmuese e reagimeve tona janë të çastit, të diktuara nga mazhoranca”, u shpreh Bardhi.
I pyetur nëse frikësohet opozita nga kallëzimet e maxhorancës në SPAK, ku Policia ka paditur 23 deputetë demokratë pas seancës së fundit, Bardhi u përgjigj më ironi.
“Zero. Pra të akuzosh deputetët e opozitës se kanë kryer krime, kur këta nuk kanë lënë gjë pa vjedhur, ndërkohë ne akuzohemi se kemi grisur thyer apo djegur karrigen”, tha Bardhi, transmeton A2.
Sa i përket deklaratës së Kuvendit se opozitarët do të duhet të paguajnë për karriget e djegura, Bardhi u tregua i gatshëm për të kthejë dëmin.
“Karriget janë mjeti jonë i punës dhe më e shumta, e shumta mund të sjellë është dëmshpërblimi nga ana e deputetëve apo nga paga e deputetëve”, theksoi kreu i grupit të PD.
Përveç aksionit në Kuvend, opozita ka thirrur edhe qytetarët në protestë në datën 7 tetor. (A2 Televizion)