Kuvendi i dha dritën jeshile udhërrëfyesit për institucionet demokratike si pjesë e pozicionit negociues të Shqipërisë në prag të hapjes së grup kapitujve të parë me Bashkimin Europian. Maxhoranca në Konferencën e Kryetarëve nuk hasi kundërshtinë e opozitës e cila kishte zgjedhur të linte karriget bosh. Përballë kësaj situate drafti kaloi qetësisht, shkruan A2 CNN.
Detajet se çfarë përmban ky dokument i shpjegoi Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja pas mbledhjes së qeverisë e cila gjithashtu dha votën e vet miratuese. Pas miratimit në mbledhjen e Qeverisë të Pozicionit Negociues, Tirana pret përgjigjet e vendeve anëtare, për t’u ulur më pas në tryezën e dytë me ekspertët e Brukselit, ku do të hapen edhe kapitujt e parë të negociatave.
Për kryenegociatoren Majlinda Dhuka, situata politike nuk ndikon në procesin integrues të vendit duke u shprehur se për këtë çështje maxhoranca dhe opozita janë bashkë. Pritet që data 15 tetor të konfirmohet për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare, ndonëse ende nuk ka një zyrtarizm nga Brukseli. (A2 Televizion)