
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, duke folur për reformën e re territoriale, tha se opozita nuk do të pranojë shkrirjen e bashkive dhe se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, përfshirë edhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
I ftuar në emisionin “Puls” në A2 CNN, Baçi tha se procesi i konsultimeve për reformën territoriale nuk ka marrë parasysh shqetësimet e qytetarëve dhe se, sipas tij, dëgjesat kanë qenë thjesht formale.
“Qytetarët në këto takime kanë kërkuar që shërbimet të jenë sa më afër tyre dhe jo zvogëlimin e numrit të bashkive”, u shpreh Baçi.
Duke folur për ndryshimet e propozuara në qarkun e Fierit, deputeti demokrat kundërshtoi veçanërisht bashkimin e Bashkisë së Patosit me Bashkinë e Fierit. Sipas tij, Patosi është një bashki me burime dhe performancë të mirë dhe nuk ka arsye për shkrirjen e saj.
“Patosi ka resurse, ka performancë si bashki dhe nuk ka problem performance. Nuk shikoj një arsye tjetër për këtë ndryshim”, deklaroi Baçi.
(A2 Televizion)