Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka zbuluar në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN strategjinë si opozita do t’i ndihmojë Florjan Binajt në garën për bashkinë e Tiranës dhe kandidatëve të tjerë të pavarur në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.
“Këtu në Shqipëri që të quhesh i pavarur duhet ti bësh fresk regjimit. Por ka, ja ku është Florjan Binaj, një figurë e arrirë, një arkitekt dhe një artist i njohur tashmë, i cili e ka rritur emrin dhe figurën e tij duke u marrë me akuza jashtë partive. Një aktivist i shkëlqyer i shoqërisë civile. I cili nuk ka qenë asnjëherë në asnjë parti politike i anëtarësuar. Ja pra që ka të pavarur. Kapërcyem mbi veten tonë, bëmë gjithçka duke shkelur dhe mbi veten për të bashkuar opozitën. Se është për herë të parë që të gjitha forcat opozitare të qendrës dhe qendrës së djathtë kanë rënë dakord për të mbështetur një kandidat. Të gjitha forcat opozitare janë bashkë kundër kandidatëve të narkosit. Është arritje e PD kjo. Ne kishim shumë kandidat por vendosëm të hapim një epokë të re kundër narkosit. U arrit të bashkohet opozita në mënyrë konsensuale rreth kandidatëve të shoqërisë civile që kandidojnë si të pavarur. I pavarur do të thotë jo anëtar i partive politike”, tha Noka në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Ai më tej shpjegoi se synimi i Partisë Demokratike është që e gjithë opozita të bashkohet me qëllimin për të rrëzuar “narkosin”, duke iu referuar këtu mazhorancës në pushtet.
Në logjikën e Nokës, dalja përtej vetes me mbështetjen për kandidatët e pavarur ishte një hap i denjë drejt realizimit të kësaj kauze.
“Synimi ynë është të bëhemi të gjithë bashkë kundër narkosit dhe në këtë synim ne në rrugëtimin tonë ndërtojmë një strategji, e cila na bëri të eskalojmë veten tonë. Ne kishim potenciale të mjaftueshme për të qenë konkurrent dinjitoz brenda PD, ndoshta edhe fitues. Por synimi ynë është që të dalim përtej opozitë, që të maksimizojmë prurjet dhe flukset kundër kandidatëve të narkosit. Kjo është strategji politike, e cila ka dhënë efekt. Kandidatura e zotit Binaj është mirëpritur gjerësisht nga qytetarët e Tiranës përtej partive politike. Demokratët kanë vetëm një qëllim të shkatërrojnë kështjellën e narkosit që ngriti Lali Vjedhësi. Demokratët prandaj janë ndryshe nga rilindasit. Ata mirëkuptojnë më mirë se kushdo tjetër. Të gjithë pa përjashtim”, deklaroi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)