Pasi e kaloi me sukses mocionin e votëbesimit në PE, Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Tiranë shfaqi optimizmin për rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE.
Ajo tregoi mbështetjen e saj për 2027, objektivi i qeverisë shqiptare për të mbyllur negociatat.
“Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian! 5 nga 6 grupkapitujt janë tashmë të hapura. Ne planifikojmë që të hapim të fundit këtë vjeshtë. Qëllimi juaj është që të mbyllni negociatat deri në vitin 2027, kjo në fakt është ambicioze, por ne na pëlqen ambicia”, tha Von Der Leyen, shkruan A2.
Edi Rama theksoi: “Viti 2027 nuk është një vit që e pamë në ëndërr ne këtu në Tiranë dhe tani po ia tregojmë shqiptarëve. Është një vit që e kemi përcaktuar së bashku me KE si objektivin e negociatave”.
Gjatë konferencës për shtyp, Presidentja e KE tregoi se përveçse përfitimit monetar nga plani i rritjes, për Shqipërinë do të ketë edhe një lajm të mirë vitin tjetër: “Unë jam shumë e kënaqur që të them dhënien e 100 milionë eurove dhe tani kemi për ta zbatuar këtë plan, tani që jemi në rrugën e duhur. Kjo është rruga që Shqipëria të aksesojë të gjithë fondin në bazë të Planit të Rritjes, ka afërsisht 1 miliardë euro. Vitin që do të vijë ne do të heqim të gjitha tarifat e roaming midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian”.
Ndërsa në punimet e forumit e investimeve BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri i Shqipërisë kërkoi nga Brukseli që Ballkani Perëndimor të mos shihet si një barrë, por si një horizont i ri investimesh: “Ballkani Perëndimor nuk është oborri i pasëm i Europës, e as lagjja e tij e dorës së dytë, por horizonti i tij i ri. E nuk duhet shumë shkencë, por duhet ca kurajë për të kuptuar se Ballkani Perëndimor mund të bëhet strehë amortizuese rregullatore e Europës, laboratori i tij i rezistencës, një hapësirë për të testuar, për të ndërtuar e për të provuar të ardhmen. Nga energjia e lëndët e para kritike, tek infrastruktura e inteligjencës artificiale, prodhimi i teknologjisë së lartë”.
Edhe pse Shqipëria shpalli ministren e parë virtuale duke tentuar të udhëheqë inteligjencën artificiale, në Bruksel kanë vendosur që dy investimet e mëdha të inteligjencës artificiale të bëhen gjetkë, në dy shtete të tjera të rajonit, duke mos zgjedhur vendin tonë.
“Sot mund të deklaroj që ne do të hapim fabrikat tona të AI në Ballkanin Perëndimor. Do ta nisim me ngritjen e dy fabrikave në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi dhe do ta shtrijmë këtë shtyllë kurrizore digjitale me shpejtësi të lartë në të gjithë rajonin. Mesazhi im për investuesit sot është i drejtpërdrejtë. Mos e lini t’ju humbasë kjo mundësi. Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani”, tha Von der Leyen.
Presidentja e KE bëri thirrje që tani është koha të për të investuar në Ballkanin Perëndimor, ndërsa gjatë këtij forumi u firmosën 10 marrëveshje biznesi.
(A2 Televizion)