Gjergji Nika paralajmëron: Do ketë surpriza të mëdha në Bashkinë Vlorë, më mbështet gjithë struktura e PD-së

Nga A2 CNN
30 Tetor 2025, 22:30 | Politikë

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Vlorës, Gjergji Nika, është shprehur se në zgjedhjet e 9 nëntorit do të ketë surpriza.

Komentet Nika i bëri në studion e emisionit ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se nëse do të ketë një ndërgjegjësim qytetar, Vlora thyhet kollaj.

Nika tha gjithashtu se në garën për Bashkinë e Vlorës mbështetet nga qytetarët, nga demokratët dhe militantët e PD-së, si dhe nga gjithë struktura e Partisë Demokratike.

Ai shtoi po ashtu se ka pasur lojëra dhe presione politike në mënyrë që ai të mos regjistrohej në zgjedhje, por në fund sipas tij, Kolegji Zgjedhor vendosi 5 me 0 që ai të vijonte garën.

“Unë kam një mission për të fituar Bashkinë e Vlorës, nuk kam mision për të thyer as njërin e as tjetrin. Kanë qenë presionet politike që e kanë çuar KQZ dhe KAS në atë vendimmarrje, pasi rasti im ishte i pastër që unë duhe të regjistrohesha duke qenë anëtar i Këshillit Bashkiak.

Lojërat e tyre teknike, por Kolegji Zgjedhor vendosi sot 5 me 0 për të më futur në garë dhe për të vazhduar garën. Unë besoj se Vlora, nëse qytetarët janë të ndërgjegjësuar, mund të thyhet. Në 27 vite Vlorën e kanë drejtuar rreth 15 vite doktorë dhe nuk ka nevojë sërish për një doktor. Vlora ka nevojë për një analizë shumë të thellë.

Në këtë garë më mbështesin qytetarët, demokratët dhe gjithë struktura e PD-së. Unë ta garantoj që Vlora do ketë supriza të këndshme positive dhe ta garantoj që nëse ka një ndërgjegjësim qytetar, nëse zgjedhjet bëhen në mënyrë korrekte dhe nuk ka abuzime dhe manipulime me votat, Bashkia e Vlorës thyhet shumë kollaj”, tha mes të tjerash Nika. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos