Bashkimi Liberal Demokrat nuk pranon që të paguajë gjobën e vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për mosparaqitjen në kohë të raportit financiar për zgjedhjet e 11 Majit.
Në ankim, forca e drejtuar nga Arjan Starova argumenton se në 11 maj ka garuar si pjesë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ndaj dhe detyrimet duhet t’i ketë koalicioni, shkruan A2.
“Bashkimi Liberal Demokrat u regjistrua fillimisht si subjekt zgjedhor. Megjithatë, me regjistrimin e Koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, subjekti zgjedhor që mori pjesë në zgjedhjet e datës 11 Maj 2025 ishte koalicioni. Për rrjedhojë, detyrimi për paraqitjen e raportit financiar i takon subjektit zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhje, pra koalicionit, dhe jo partive përbëresë individualisht”, lexohet në ankesën e Bashkimit Liberal Demokrat.
Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, në ankim shtohet se çdo veprim gjatë fushatës është bërë nga koalicioni dhe jo nga partitë pjesëmarrëse në të: “Neni 92/3, pika 1, përdor termin "subjektet zgjedhore" dhe jo termin "partitë politike". Ky formulim nuk është rastësor. Nëse ligivënësi do të kishte synuar që raporti financiar të paraqitej nga secila parti politike më vete, ai do ta kishte përcaktuar shprehimisht këtë detyrim”.
Argument ligjor për të kundërshtuar gjobën prej 2 milionë lekësh të rinj, Starova gjen edhe te marrëveshja që ka nënshkruar me Partinë Demokratike për t’u bërë pjesë e koalicionit: “Kjo marrëveshje fiton një rëndësi të veçantë juridike, pasi përcakton të drejtat dhe detyrimet reciproke të partive, mënyrën e bashkëpunimit, ndarjen e përgjëgjësive dhe mekanizmat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.
Bashkimi Liberal Demokrat u ndëshkua nga Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi bashkë me 12 parti të tjera për mospërmbushjen e detyrimeve sa i takon pasqyrave financiare për zgjedhjet e 11 Majit. (A2 Televizion)