Ervin Salianji tha se nuk ishte fare i habitur nga vendimi i Gjykatës së Lartë që rrëzoi rekursin e tij për të shfuqizuar dënimin me 1 vit burg. Në një postim në Facebook, Salianji thotë se ky vendim ishte rruga e shkurtër që zgjodhi gjykata, shkruan A2 CNN.
“Nuk kanë etikë profesionale dhe as guximin minimal që të japin drejtësi e të hyjnë në konflikt me Edi Ramën. Kjo është një vijë sjellje. Nëse Gjykata e Lartë do të ishte garanci për të drejtën, do të ishte garanci për proces juridik të rregullt e të ligjshëm, as gjykatat më poshtë s'do të guxonin të firmosnin farsat që firmosen”, shkroi Salianji.
Ai shtoi se dënimi i tij bëhet për ta eliminuar nga beteja politike! “Ne çdo përballje e kam mundur Edi Ramën dhe shpurën e tij. Më e fundit në Kavajë në fitoren e bashkisë, e kudo tjetër. Dënimi im politik është kërcënim i hapur për cilindo që lufton krimin, korrupsionin dhe mafien e veshur me pushtet.
Dënimi im politik është një mbështetje e hapur ndaj mafies dhe trafikantëve ndërkombëtarë. Koha e zgjedhur për të dhënë vendimin një ditë para shpalljes së listave është po ashtu një mesazh kërcënimi për këdo guxon e flet të vërtetat! Në këto kohë parade turpi, kohë aferash të renda financiare, unë jam me zero korrupsion, zero akuzë për asnjë qindarkë. Ndaj, burgosja për denoncimin, për fjalën, është një medalje. Jam krenar për betejat e mia në interes të njerëzve. Kam zgjedhur që në fillim luftën e pakompromis dhe qytetarët më kanë mbështetur për këtë.Gjykimet ndaj meje do hyjnë në turpet historike, të kauzave gjyqësore si rast i përdorimit të drejtësisë për hakmarrje personale nga Rama e Xhafaj”. (A2 Televizion)