Avokati Indrit Sefa tha se gjatë ditëve të fundit ka pasur drejtorë të Thesarit që kanë marrë bankat në telefon, duke u kërkuar që të mos u kalojnë pagat administratës gjyqësore.
Sipas Sefës drejtorët zbatojnë urdhrin e ministrit dhe jo të gjykatës, dhe ata duhet të arrestoheshin në flagrancë.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Sefa tha se kjo është beteja e fundit e pushtetit ekzekutiv me pushtetin gjyqësor.
“Parlamenti është kot, inekzistent. Ka asimiluar parlamentarizmin mazhoranca, nuk e llogarit fare. Del një ministër i papërgjegjshëm atje edhe nuk i kaloj pagat unë as administratës gjyqësore, as gjyqtarëve! Kush je ti Skënderbeu?! Me çfarë akti të shkruar ke autorizuar ti drejtoritë e Thesarit nëpër rrethe për të mos zbatuar vendimin, detyrimin ligjor?! Kush je ti?! Nuk funksionon shteti sipas vullnetit të gjithë secilit. Ka vendime gjykate që duhen zbatuar. Faj kanë ata që s’e arrestojnë në flagrancë, atë, bashkë me drejtorët e Thesarit që nuk zbatojnë detyrimin ligjor për t’u kaluar pagat punonjësve. Duhen arrestuar në flagrancë. Kush je ti që nuk zbaton vendimin e gjykatës? Çfarë je ti?! Dalin drejtorët e drejtorive të Thesarit nëpër rrethe dhe zbatojnë urdhrin e ministrit, urdhrin verbal, sepse kanë më shumë frikë nga shefi se sa nga ligji! Beteja e fundit është pushteti ekzekutiv me pushtetin gjyqësor. Do ta rrëzojë shtetin në strukturën e tij, apo do ta mbajë. Ka pasur drejtorë Thesari që padashje kanë kaluar pagat në bankë dhe kanë arritur deri aty sa kanë marrë bankën në telefon dhe i kanë thënë mos i kaloni lekët. Këto dy tre ditë ka ndodhur”, tha Sefa.
(A2 Televizion)