Shqipëria ka plotësuar shumicën e rekomandimeve për luftën kundër korrupsionit në administratën publike, të vendosura nga GRECO, struktura e Këshillit të Europës që bën një nga vlerësimet më të rëndësishme në këtë sektor. Sipas raportit të lexuar nga Ministrja e Shtetit për Administratën, vendi ynë ka realizuar 75% të detyrave dhe rezulton lider në rajon.
“Nga 24 rekomandime që ju caktuan Shqipërisë, 18 prej tyre quhen sot plotësisht të realizuara, 5 prej tyre pjesërisht dhe vetëm 1 prej tyre mbetet ende për t’u realizuar”, tha Adea Pirdeni.
Këtë e pohoi edhe përfaqësuesi i KiE, i cili nënvizoi se korrupsioni nuk ka kombësi, por duhet parandaluar që në gjenezë.
“Askush nuk është imun ndaj korrupsionit. Çështja është se si mund ta trajtojmë këtë situatë që të mos bëhet vepër korrupsioni, prandaj parandalimi është shumë i rëndësishëm. Prandaj jam shumë i lumtur që Shqipëria i ka plotësuar të gjitha këto masa për të parandaluar korrupsionin”, tha Gianluca Esposito.
Ky rezultat sipas kryeministrit i jep të drejtë Shqipërisë që të aspirojë anëtarësimin në BE brenda kësaj dekade. Një pikëarritje për të cilën vendit do t’i duhen reforma të thella.
“Ne jemi duke bërë përpjekje të gjithanshme për ta thelluar këtë progres duke përgatitur një dallgë tjetër reformash të mirëqeverisjes, të sundimit të ligjit dhe të antikorrupsionit, menjë përfshirje të madhe të të gjithë institucioneve dhe me ndërveprimin e të tre pushteteve të pavarura, Pushtetit Legjislativ, Pushtetit Ekzekutiv dhe Pushtetit Gjyqësor”, u shpreh Rama.
Më problematike sheh situatën me gjyqësorin, një realitet që i ngjan mbetur mbrapa në kohë. Si shembull sjell marrjen në pyetje në SPAK.
“Në sistemin e drejtësisë jemi akoma në epokën e gurit. Zhvillojmë intervista në prokurori, edhe në polici në fakt, pa audio dhe pa video, intervistat në prokurori, që nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm deri tek prokuroria speciale bëhen si në kohën e gurit. Unë të shoh e ti më sheh, unë të pyes e ti më thua dhe unë shkruaj çfarë të dua. Kjo është vënë në pah nga institucionet ndërkombëtare, është një nga gjërat që duhet korrigjuar me urgjencë dhe ne do ta korrigjojmë patjetër”, theksoi kryeministri.
Sistemi digjital duhet të shtrihet edhe tek drejtësia, prandaj kishte një kërkesë të drejtpërdrejtë për KLGJ.
“Një projekt që tanimë ka një vonesë të palogjikshme, por që shpresoj, që më në fund, do të vihet në vijë dhe uroj që Këshilli i Lartë Gjyqësor të mos e vonojë më, por ta çojë përpara. Ne si qeveri kemi angazhuar fonde dhe jemi tërësisht në mbështetje për të realizuar këtë program”, vijoi kreu i qeverisë.
Të gjitha këto Edi Rama i sheh si detyra që duhen kryer para se të mbyllen negociatat me Brukselin. Çekiçin mbi kokë qeverisë ja mban kryenegociatorja Majlinda Dhuka. “Vigjilon mbi ne si një agjente e devotshme e Bashkimit Europian”, përfundoi Rama. (A2 Televizion)