Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani deklaroi sot se ky institucion nuk është përfshirë nga kriza funksionale. Në një deklaratë për mediat, Ristani u shpreh se çdo lëvizje është e bazuar në rregulloren e institucionit. Ajo falënderoi edhe kryeministrin Edi Rama, duke thënë se i ka qëndruar pranë Bashkisë në këto kohë të vështira.
“Nuk ka asnjë krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës. Puna vazhdon me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën energji dhe me të njëjtin vizion që na ka udhëhequr ndër vite nën drejtimin e Kryetarit Erion Veliaj. Ne nuk do të ndalojmë së punuari për qytetin e së ardhmes, për fëmijët tanë, për një Tiranë që nesër do të na bëjë krenarë përpara tyre. Këtë e kemi për detyrë ndaj qytetit, ndaj çdo qytetari të Tiranës.
Po ashtu, më lejoni të ndaj me ju edhe një mesazh personal. Kam qenë pjesë e kësaj Bashkie dhe e ekipit të drejtuar nga Kryetari Erion Veliaj prej 10 vitesh. Kam punuar çdo ditë përkrah tij, duke sakrifikuar kohën me familjen time për t’i shërbyer qytetit tonë. Për ne, Bashkia e Tiranës ka qenë gjithmonë më shumë sesa një institucion – ka qenë një mision i përbashkët. Nuk ka masë sigurie apo artikull mediatik që mund të zbehë respektin dhe besimin që kemi ndërtuar me njëri-tjetrin.
Unë besoj fort se mënyra më e mirë për të nderuar punën dhe përkushtimin e Erion Veliajt është që Bashkia Tiranë të vijojë të kryejë punët më së miri për qytetarët e saj. Sepse në fund, historia do të kujtojë veprat dhe jo fjalët – punën që shihet dhe jo thashethemet që i merr era.
Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen time për Kryeministrin z. Edi Rama, i cili, në këto ditë sfiduese, po i qëndron pranë stafit të Bashkisë dhe qytetit të Tiranës.
Unë drejtoj një institucion që udhëhiqet nga rregullorja e legjislacioni. Mbaj përgjegjësi çdo lëvizje apo qarkullim stafi bëhet mbi bazën e këtyre parimeve. Kryetari ua njoftoi vetë anulimin e urdhrit të parë”. (A2 Televizion)