Takimi i kryeministrit Edi Rama me strukturat e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skëndërbej” kishte qartësisht trajtat e një mitingu elektoral, përmes të cilit i tregohen rivalit politik muskujt e numrave.
Forcën e mbështetësve, kërkoi ta mbajë larg dyerve të SPAK-ut: “Mos përsërisni gabimin e protestës para gjykatës”.
Kërkesa nuk duhej interpretuar si tërheqje nga kritikat e shprehura për drejtësinë e re pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj: “Bën gabime kush punon. Edhe organet e reja të drejtësisë nuk mund të jenë të pagabueshme”.
Strukturave të Bashkisë së Tiranës u kërkoi të mos ndalojnë punën për asnjë moment, ndërsa drejtësisë që ka në dorë fatin e Veliajt, i dha mundësinë të korrigjohet: “Uroj t’i japin një gjyq dinjitoz, duke i dhënë fund praktikës së prangave pa gjyq kur s’kanë ça provash të prishin”.
Vetes dhe Veliajt i dha meritat e transformimit të Tiranës në një metropol modern, teksa citoi akuzat për korrupsion me të cilët janë përballur të dy. Ata që dje në çdo pallat të ri shikonin përqindjet për leje ndërtimi edhe kur shohin kulla të njëjtën gjë mendojnë, sa përqind merret nga këto lejet e ndërtimit”.
Çfarë bën akoma në fushëbetejat e politikës, pranoi se është një pyetje që ia bën edhe vetes: “Nuk iki se kam luftë për të mbaruar. Më ka futur në këtë luftë shiu dhe balta e varrezave të Sharrës, kur varrosa tim atë dhe u ktheva me baltën deri në gju”.
Anëtarësimi i Shqipërisë në BE kalon nga Tirana, pohoi Rama, proces të cilin e sheh si hakmarrje: “Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është hakmarrja e çdo shqiptari patriot për poshtërimet që na kanë bërë të huajt dhe vetëposhtërimet nga bufat dhe mutërit e kënetës që nga 1912”.
Pas takimit në sheshin “Skëndërbej”, Rama zhvilloi edhe një takim me këshilltarët e majtë, që zgjati rreth 10 minuta, ku A2 CNN mësoi se ka kërkuar nga të gjithë që të dalin në terren dhe të jenë sa më shumë aktivë në zonë. “Sot duhet motivim më shumë se kurrë për të fituar në 11 maj”, mësohet të jetë shprehur Rama. (A2 Televizion)