Kryeministri Edi Rama është shprehur se rreziku që Reforma në Drejtësi të përmbyset është real sot në Shqipëri.
Komentet Rama i bëri gjatë një takimi me gratë dhe vajzat në Shkodër, ku tha se është hera e parë që nga viti 1912 që drejtësinë nuk e ka më në dorë i pari i qeverisë, por e ka në dorë vetë drejtësia.
Ai tha gjithashtu se vetëm kur Shqipëria do të futet në BE, gjë që sipas tij do e bëjë qeveria e PS, nuk do të ketë më mundësi për shkatërrimin e Reformës në Drejtësi, shkruan A2 CNN.
“Nga 1912, i pari i qeverisë e ka pasur drejtësinë në dorë. Është hera e parë në histori që drejtësinë e ka në dorë drejtësia. Dhe kjo sepse ju dhe shumica e shqiptarëve më besuat mua kur u thosha në 2017 ‘ma jepni atë timon mua, mos na lini me të tjerë në prehër, sepse nuk e bëjmë dot reformën në drejtësi. Të gjithë të tjerët janë armiq të drejtësisë’.
Ju ma dhatë timonin dhe unë dhe PS ju kthyem mbrapsht një drejtësi që nuk do të dijë majtas dhe djathtas, shikon drejt dhe sa të jem unë dhe PS këtu, s’ka për të pasur kthim pas për drejtësinë. Por të tjerët që vijnë pas… Historia ka treguar se çfarë i ka bërë shqiptari këtij vendi, nuk ja ka bërë edhe armiku.
E pra mundësia që kjo që kemi bërë, barazia para ligjit, të përmbyset, është reale. Jo nga zgjedhjet e 11 majit, sepse në 11 maj do fitojë PS. Kjo punë nuk i lihet në dorë thjesht atyre që do zgjidhen për të qeverisur Shqipërinë në vitet e ardhshme. Kjo punë zgjidhet kur vendi të futet në BE”, tha Rama, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)