Rrëzimi me votë të komisioneve hetimore socialistët e shoqëruan edhe me ndryshime në ligjin organik të tyre. Drafti që mban firmën e Taulant Ballës u miratua në parim në Komisionin për çështjet ligjore dhe nenet e rishkruara nuk gjetën mbështetjen e opozitës.
“Unë e kërkoj dhe duhet të marrë konsensusin e atij që nuk është dakord për të ngritur komisionin hetimor”, tha Arjan Ndoja. “Ka një opozitë që do të dalë e vërteta dhe ka një maxhorancë që do të mos dalë e vërteta dhe kërkon të de-naturojë një proces...”, tha Gent Strazimiri, përcjell A2 CNN.
Shkak i mospranimit të aktit ishte rivendosja e dispozitës se për të ngritur një komision hetimor duhet gjetur konsensusi me maxhorancën. “Të debilizosh në këtë mënyrë debatin publik, debatin parlamentar dhe kushtetues nuk është në nderin e asnjë personazhi që ka marrë përsipër të mbroj disa standarde. Vazhdojmë të ecim në të njëjta standarde, emri nga ndryshuar nga Elisa Spiropali te Niko Peleshi”, tha Strazimiri.
Socialistët tentuan të minimizonin ndryshimet por debati u devijua te mënyra sesi janë përdorur komisionet hetimore në të shkuarën. “Deri në 2013 ka pasur raste që maxhoranca ka ngritur komisione të posaçme hetimore. Kemi pasur komisione për 21 janarin 2011 për të hetuar çadrat pistoletë etj. etj.”, tha Ulsi Manja.
Miratimi në tërësi i nismës socialiste u shty për në mbledhjen tjetër pasi më parë duhet të japë mendimin e tij komisioni i Fatmir Xhafajt. (A2 Televizion)
