Pako strategjike Shqipëri–Itali: fuqizim detar, industri mbrojtjeje dhe mbrojtje civile

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2025, 08:45 | Politikë

Pako strategjike Shqipëri–Itali: fuqizim detar, industri mbrojtjeje

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije të dhëna të detajuara në lidhje me marrëveshjet e nënshkruara në fushën e sigurisë mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane në takimin e zhvilluar një ditë më parë në Romë.

Kështu, Shqipëria dhe Italia konkretizuan një sërë marrëveshjesh dypalëshe, duke rikonfirmuar thellësinë e partneritetit strategjik dhe angazhimin për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal.

Marrëveshja e parë e përbashkët ka të bëjë me zgjerimin e aktiviteteve të dypalëshe të trajnimit ndërveprueshmërisë, sigurisë detare dhe gatishmërisë operacionale.

Firmosja e marrëveshjes teknike për transferimin e dy motovedetave patrulluese italiane për Rojën Bregdetare Shqiptare forcon ndjeshëm kapacitetet e Shqipërisë për vëzhgimin e hapësirës detare si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit në Detin Adriatik dhe Jon.

Marrëveshja e dytë ka të bëjë me konsolidimin e partneritetit në fushën e industrisë së mbrojtjes për krijimin e bazës industriale të mbrojtjes në vend, në përputhje me agjendën më të gjerë të industrializimit dhe aftësive teknologjike e prodhuese të vendit.

Marrëveshja mes kompanisë shtetërore KAYO me atë italiane Leonardo dhe Fincantieri fokusohet në përdorimin e teknologjive të avancuara nga municionet tek sistemet e komandim -kontrollit, zhvillimin e kapaciteteve të mirëmbajtjes së anijeve ekzistuese të Forcës Detare, dhe prodhimit të mjeteve të reja detare për tregun vendas dhe ndërkombëtar.

Ndërkohë që marrëveshja e tretë ka të bëjë me forcimin e Qëndrueshmërisë dhe kapaciteteve të mbrojtjes civile të Shqipërisë.

Këto nisma plotësohen nga nënshkrimi i memorandumit dhe deklaratës trepalëshe AKMC-AICS Tirana dhe e Agjencisë Italiane të Mbrojtjes Civile, për garantimin e sinergjive për projektet aktuale dhe të ardhshme të mbrojtjes dhe emergjencave civile. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos