Rama në Konferencën e IAIS: Të ndërtojmë fortifikimin e rezistencës ndaj krizave globale

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2025, 10:23 | Politikë

Rama në Konferencën e IAIS: Të ndërtojmë fortifikimin e

Kryeministri Edi Rama theksoi se krizat globale, nga ndryshimet klimatike te sulmet kibernetike dhe luhatjet e tregjeve financiare, kërkojnë veprime të përbashkëta dhe zgjidhje të reja gjithëpërfshirëse. Gjatë fjalës së tij në Konferencën Vjetore të Organizatës Botërore të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS),  e cila mbahet për herë të parë në Ballkan, Rama u ndal te domosdoshmëria e ndërtimit të një “fortifikimi” rezistence përballë sfidave të reja, përcjell A2 CNN.

Sipas tij, ekonomitë e vogla, si Shqipëria, e përjetojnë më fort tronditjen nga goditjet globale. “Për një të ardhme të qëndrueshme duhet të përqafojmë një qasje tërësore ndaj rezistencës që merr në konsideratë morinë e sfidave me të cilat përballen familjet, bizneset e kombet”, deklaroi ai, duke shtuar se për vendet në zhvillim, hendeku i mbulimit të sigurimeve apo kapaciteti institucional shpesh është i kufizuar.

Rama në Konferencën e IAIS: Të ndërtojmë fortifikimin e

Rama u ndal veçanërisht te roli i digjitalizimit, i cili sipas tij po krijon tregje më efikase dhe më të aksesueshme, përfshirë sektorin e sigurimeve. Ai theksoi se vitet e fundit kanë treguar se sa shpejt mund të destabilizohen ekonomitë dhe shërbimet publike nga krizat e papritura. “Mund të mos parashikojmë çdo katastrofë, por mund të fortifikohemi për t’i përballuar dhe për t’u rimëkëmbur”, tha kryeministri.

Duke folur për Shqipërinë, Rama theksoi se ende shumë familje dhe biznese të vogla mbeten të pambrojtura. Për këtë arsye, ai vuri në dukje rëndësinë e edukimit financiar, që do t’i ndihmojë qytetarët të shohin sigurimet si pjesë të planifikimit të tyre afatgjatë. “Dëmi i përmbytjeve, zjarreve e tërmeteve mund të fshijë vite të tëra përpjekjesh. Rruga përpara është e qartë: na duhet të zgjerojmë rrjetën e sigurisë dhe të sigurojmë akses për të gjithë”, nënvizoi Rama.

Rama në Konferencën e IAIS: Të ndërtojmë fortifikimin e

Kreu i qeverisë riktheu edhe një herë idenë e bashkëpunimit rajonal dhe global, duke theksuar se “rreziqet nuk njohin kufij”. Ai paralajmëroi se izolimi nuk është më opsion. “O të ecim përpara në rrugëtimin e inercisë, duke i mbyllur sytë derisa ajsbergu të na fundosë, ose të jemi të guximshëm, krijues dhe të bashkuar për një shteg të ri që do të na shpëtojë të gjithëve”, u shpreh Rama.

Kryeministri vlerësoi modernizimin e mbikëqyrjes së sigurimeve dhe harmonizimin me standardet e BE, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt një sistemi financiar më të sigurt. Ai tha se integrimi i sigurimeve në politikat publike, nga bujqësia te infrastruktura dhe rezistenca klimatike, është thelbësor për të ulur rreziqet fiskale dhe për të orientuar ekonominë drejt modeleve më të qëndrueshme. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos