Qeveria shqiptare mendon se ka ardhur koha që projektet e rëndësishme në sektorin e ndërtimit të mos financohen vetëm nga kreditë bankare, por të eksplorohen edhe instrumente të tjera. Gjatë takimit me përfaqësues të kompanive të ndërtimit, kryeministri Rama ua bëri të qartë që sektori duhet të kalojë në përdorimin e instrumenteve të reja financiare.
“Në mënyrë që ndërtimi të mos bazohet tek parashitja dhe të mos bazohet tek kleringu, sepse janë dy forma që ishin të kuptueshme dhe të pranueshme për një periudhë të caktuar kohe, por nuk mund të jenë më as të kuptueshme, as të pranueshme sot, kur mundësitë janë për të pasur akses në forma të tjera financimi”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
Formula që shefi i qeverisë propozoi lidhet me faktin se kushdo të hedhë paratë do të quhet investitor dhe jo blerës. “Janë projekte të financuara nga institucione dhe nga fonde investimesh që nuk janë banka drejtpërdrejtë dhe që përfaqësojnë investitorë të interesuar, që nga investitorët e mëdhenj, deri te investitorë fare të vegjël, që janë investitorë që duan të blejnë një apartament apo duan të blejnë një shtëpi në plazh. Kjo formulë investimi, është një parashitje, por është një parashitje e bazuar tek garancia e investimit, pra faktikisht duke pasur krahët të mbuluar me financim dhe duke arritur që të shtosh vlerën e produktit tënd final, që tjetër është kur e shet në gropë, tjetër është kur e shet në fund”, tha Rama.
Propozimi i ri do të ketë edhe masa më të rrepta kontrolluese për ndërtuesit, pasi sipas Ramës, sidomos fondet ndërkombëtare kërkojnë garancinë e cilësisë dhe të përfundimit të punimeve sipas afateve të përcaktuara në kontratë. “Pra “karota nga një anë, shkopi nga ana tjetër”, sepse në të kundërt e kemi të pamundur. Ne e kemi parë, janë disa fonde që na kanë ardhur këtu dhe flasin në shifra nga 100, nga 500 në 1 miliardë, në 2 miliardë, në 3 miliardë, të gatshëm që të investojnë me forma të ndryshme me bashkëfinancim dhe në bashkëpunim me investitorët dhe me ndërtuesit tanë, por ajo që ne na ka penguar që t’i nxisim që ta bëjnë këtë gjë menjëherë është frika e madhe se mos gjendemi në kushtet kur dy kushtet themelore për këto fonde, që janë koha dhe cilësia, nuk përmbushen dhe në qoftë se nuk përmbushen, mjafton një dështim i madh që këto fonde mos afrohen më në Shqipëri për 20 vjet. Ata investitorët institucionalë duan kohën, duan të dinë kohën. Pra, nuk mund t’i japësh një projekt për një godinë në Tiranë dhe pastaj projekti të marrë dhjetë vjet për t’u realizuar, nuk funksionon”, tha Rama.
Arkitektët do të kenë përgjegjësi për projektet deri në dorëzimin e objektit. Por për këtë Edi Rama mendon se ka nevojë për ndihmën dhe eksperiencën e të huajve, pasi arkitektët shqiptarë ende nuk janë në lartësinë e cilësisë që kërkohet prej tij. “Nëse ne do të arrijmë t’i realizojmë ato projekte besnikërisht, Shqipëria do të bëhet destinacion nga më të rëndësishmit në Europë për turizmin arkitektonik. Një godinë bëri Bilbao dhe ndryshoi ekonomia e atij qyteti. Nëse ne arrijmë që projektet që kemi futur në proces t’i realizojmë, po ju them, që do të jetë një gjë e jashtëzakonshme për kulturën, për trashëgiminë, po edhe për ekonominë tonë. Dhe për t’u kthyer tek objekti i takimit, unë mendoj që gjëja më e udhës është që ju të merrni kontakte të veçanta me grupin e këtyre arkitektëve financiarë po i quaj, që ka vërtetë një potencial të madh për të zhvilluar dhe për të ndihmuar në zhvillimin e projekteve tuaja”.
Qeveria do të detyrojë ndërtuesit shqiptarë që kantieret t’i survejojnë me kamera 24 orë, ndërsa kompanitë e mëdha që kanë mbi 100 punëtorë duhet të ngrenë qendra të inovacionit. Në fund Rama u kujtoi edhe njëherë listën e zezë të gjithë atyre që nuk do të plotësojnë kushtet dhe shkelin ligjin, se nuk do të kenë më akses në leje ndërtimi. (A2 Televizion)