Pas 3 muajsh e gjysmë nga zgjedhjet parlamentare, KQZ vulosi rezultatin e 11 majit me shpërndarjen e mandateve në tre qarqet e fundit: Fier, Elbasan dhe Durrës. Mes 12 mandateve të fituara nga PS në qarkun e Fierit, arriti të bëhet deputete edhe Zegjine Çaushi, pas tërheqjes së Maldrita Bardhos nga gara, në momentin që fitoi nga rinumërimi i votave, shkruan A2 CNN.
Demokratët në këtë qark arritën të fitonin vetëm 4 deputetë. Elbasanin në Kuvend do ta përfaqësojnë 10 deputetë socialistë dhe 4 opozitarë. Në Durrës nuk pa asnjë ndryshim nga rezultati i vitit 2021: 8 mandate për socialistët dhe 6 për demokratët. Për këtë qark, në radhët e demokratëve nuk janë fshehur pakënaqësitë dhe ankimimet brenda të njëjtit grupim, ku Andia Ulliri nuk heq dorë nga pretendimi i saj për t’i marrë mandatin Arjan Ndojës, me argumentin e kuotës gjinore.
Sipas këndvështrimit të saj, duhet të kërkohet interpretim nga Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese, pasi Andia Ullirit i takon mandati si më e votuara nga gratë, gjë që, sipas saj, e garanton Kushtetuta.
Megjithatë, ajo mori një përgjigje negative nga Komisioneri Ilirjan Celibashi. “Është një listë, por me dy komponentë: një listë e fiksuar dhe një e hapur”.
Ashtu si Ulliri, edhe Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet” kërkon të hyjë në Kuvendin e ri të shtatorit si deputeti më i votuar nga lista preferenciale e koalicionit me Nismën. Ai i ka dorëzuar ankimimin Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, duke kërkuar që të shfuqizohet vendimi i Celibashit për dhënien e mandatit të deputetes së “Shqipëria Bëhet”, Kleana Xhuveli. Me argumentin se kandidatët e listës së mbyllur janë dorëhequr, Lapaj mendon se i takon atij të jetë në Parlament dhe jo kushërira e tij.
Pas procesit të gjatë të ankimimeve dhe rinumërimeve, nga certifikimi i rezultatit të KQZ për 11 majin, përbërja e re e Kuvendit do të jetë si më poshtë:
PS: 83 deputetë
Koalicioni i Opozitës: 50 deputetë
PSD e Tom Doshit: 3 deputetë
Partia Mundësia: 2 deputetë
Shqipëria Bëhet: 1 deputet
Lëvizja Bashkë: 1 deputet (A2 Televizion)