Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka folur sot në interpelancën për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, për të cilën ishte thirrur nga opozita.
Manastirliu gjatë fjalës së saj ka sulmuar deputeten demokrate Ina Zhupa, e cila edhe kërkoi interpelancën në fjalë, duke thënë se ka përdorur në Parlament gjuhë bullizuese dhe fyese.
Ajo tregoi gjithashtu disa nga masat e marra nga ministria që ajo drejton, për përmirësimin e sigurisë së nxënësve dhe arsimit në Shqipëri, shkruan A2 CNN.
“Duke iu përgjigjur gënjeshtrës tuaj se nuk kam reaguar, kam folur që në momentin e parë nga kjo foltore pas ngjarjes së vrasjes së 14-vjeçari. Kam thënë qëndrimin tim për ngjarjen tragjike dhe është ky: ‘gjuha e urrejtjes, kanosja me fjalë, fyerja, janë shembulli më i keq që mund t’u japim fëmijëve duke nisur nga kjo sallë. Janë shërbimi më i keq që mund t’u bëjmë fëmijëve, prindërve dhe qytetarëve. Ju nuk vonuat ta jepnit shembullin tuaj të keq nga kjo foltore.
U ngrite këtu dhe përdore gjuhë fyese. Kishe kërkuar një interpelancë urgjente dhe u tregove fëmijëve në gjithë Shqipërinë se me çfarë gjuhe u flisje ti fëmijëve andej nga anët e tua. Jam e sigurt se qytetarëve nga anët e tua u ka ardhur turp që të kanë dëgjuar. Mesuesve që edukojnë fëmijët tanë u ka ardhur turp që të kanë dëgjuar. U ngrite në foltore për problemin dhe u bëre vetë problemi.
Kemi modele që janë marrë nga vende të ndryshme të botës, ku Franca Spanja dhe Australia po vendosin barriera moshe për hapjen e llogarive në rrjetet sociale. Ne jemi duke e kryer këtë konsultim me prindërit dhe do të vendosim në hapin e radhës. Pak ditë më parë prezantuam kornizën kurikulare të përditësuar për fëmijët shqiptarë. Ka përmirësime sa i përket edukimit qytetar, dixhital e ligjor. Teknilogjia nuk është problemi, ajo është zgjidhja”, tha Manastirliu, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)