
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi përjashtimin nga radhët e partisë të atyre që marrin poste drejtuese në administratën socialiste, shkruan A2 CNN.
“Nuk është kjo një raport i këtyre individëve me Sali Berishën. Kemi të bëjmë një raport me ata që i kanë votuar, me ata që i kanë mbështetur. Një gjë mund të them, për Sali Berishën, të gjithë ata që shkelmojnë mbi atë besim dhe atë mbështetje, janë automatikisht jashtë kësaj force politike”, tha Berisha, pasi u pyet për emërimin e ish-deputetes Zheni Gjergji si drejtuese e Spitalit të Elbasanit.
“Sepse 99,9 për qind në mos më shumë, të atyre që i kanë mbështetur këta individë janë të papunë, janë në kushte të vështira, por nuk jepen. U kanë shërbyer këtyre pak, se janë shumë pak, 3-4 vetë janë gjithsej, kështu që bëjnë një vendim, kalojnë në partinë e krimit, në partinë që i përkasin dhe vetëm kaq.
Pra, ky është komenti jo vetëm për atë, por për të gjithë ata. 3-4 janë në Shqipëri, mund të jenë edhe më shumë...”.
Një ditë më parë, ishte vetë zonja Gjergji që njoftoi emërimin në krye të spitalit “Xhaferr Kongoli”, duke sqaruar se kishte hequr dorë nga funksionet e saj në Partinë Demokratike.
“Kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor. Pavarësisht angazhimit tim të mëparshëm politik, unë kam qenë dhe mbetem mjeke. Profesioni im është thirrje, jo pozicion. Kam zgjedhur të jem aty ku mund të jap më shumë për shëndetin e njerëzve, për komunitetin tim, për qytetin që dua”, tha Gjergji. (A2 Televizion)
