Pedagogu Rezart Prifti u shpreh se vendi ynë ndodhet “në një krizë të thellë kulturore” dhe, sipas tij, “problemi nuk është më politik”.
“Unë mendoj që Shqipëria, në momentet që ne flasim, është në një krizë të thellë kulturore dhe problemi nuk është më politik. Ne e kemi problemin kulturor, sepse çfarëdo lloj drejtimi politik t'i japësh Shqipërisë, në momentet që ndodhet tani, është e pamundur që të lëvizë. Siç ndodhi për shembull me Amerikën. Edhe shoqëritë e zhvilluara kanë një farë krize herë pas here, gjatë kohës së Joe Biden, Amerika shkoi në një farë ekstremi me axhendën liberale LGBT. Stofi apo baza që kanë shoqëritë e zhvilluara shekullore e çoi në atë pikë që nuk mori Trumpin se ishte politikan i zgjuar apo politikani më i mirë në botë, por mori Trumpin sepse ishte përgjigje ndaj ekstremizmit, për të balancuar. E njëjta gjë ndodh edhe me shumë vende të tjera në Evropë. Megjithatë, kjo s'ka lidhje me Shqipërinë sepse Shqipëria është stof tjetër. Unë mendoj që është krizë kulturore. Tani që ne flasim, besa apo pasqyra janë një teatro që janë i nevojshëm dhe i domosdoshëm për një shoqëri si e jona, që është pa kulturë, pa arsim”, tha Prifti në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Ai shtoi se “është në pikë kritike shoqëria, nuk është thjesht politika”.
“Dhe në atë vend që je, ke një person që ka pushtet dhe me definicion pushtetin, në gjithë historinë, nuk e ka lënë njeri me dashje, derisa ka vdekur. Nga krahu tjetër ke dhe këtë teorinë që “ik ti, të vijmë ne”. Në Shqipëri, po të masësh jetën sociale, mban erë. Cilido lepur që të dalë nga kapelja, nuk ka për të bërë punë në afatgjatë, në atë që ka nevojë shoqëria. Nëse flasim për një qytet si Korça, që sot është “de facto” i vdekur, universiteti i atij qyteti sot mbahet me serum, është për mbyllje. Si ka mundësi që në një qytet të tillë, ku ka mbi 200 milionë euro projekte qejfi, sot është bosh. Në orën 15:00 është si Erseka në vitin 1993. Si ka mundësi që pas miliona eurove, nuk kemi njerëz atje? Si ka mundësi që trafik ke vetëm në 4 zona të Tiranës? Në verë ishte “Besa”, tani jemi te “Pasqyra”… Duhet të flasim për pjesën praktike, unë shikoj regjistrimet në shkolla. Po zhdukemi komplet. Diskutohet për Reformën Territoriale si lojë kungulleshkash, a thua janë budallenj të dyja palët. Ata e dinë mirë ku pikon çatia te ajo reform. Bëji po deshe edhe 1200 bashki, nuk çalon aty. Asnjë palë nuk ngre pyetjen thelbësore: pse janë zhdukur këto bashkitë?, u shpreh Prifti.
Më tej, pedagogu pati kritika edhe për disa ministri: “Ministria e Mjedisit është inekzistente komplet. Shqipëria po mbytet nga qelbi, nga veriu në jug. Edhe Ministria e Bujqësisë inekzistente komplet. Bëjnë “reels”-a, bëjnë nga 100 video”.
(A2 Televizion)