
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita ka hyrë në një “betejë të gjithanshme” kundër regjimit, duke paralajmëruar një fazë të re të organizimit politik dhe qytetar.
Në një deklaratë për gazetarët, Berisha tha se Partia Demokratike do të veprojë paralelisht në disa fronte, në parlament, në komisione, në platformën opozitare dhe në terren me qytetarët, shkruan A2 CNN.
“Ne tani jemi hedhur në një betejë të gjithanshme me regjimin. Deputetët dhe qytetarët do të jenë bashkë. PD është e detyruar të punojë njëkohësisht në shumë plane”, theksoi Berisha.
Ai shtoi se deputetët do të zhvillojnë takime dhe analiza në çdo strukturë të partisë, ndërsa prioritet do të kenë kontaktet me elektoratin. “Në rast se deputetët kanë takime me qytetarët, ato kanë përparësi absolute dhe nuk mund t’u devijojnë,” u shpreh ai. (A2 Televizion)
