Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, në një lidhje Live për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, u shpreh se procesi zgjedhor i brendshëm i PD-së ka sjellë një frymë ripërtëritjeje dhe se partia është në rrugën e duhur për t’u përshtatur me sfidat e kohës.
“Mendoj që lajkmotivi i procesit zgjedhor që ka zgjatur disa muaj është ajo që edhe kryetari i PD e ka cilësuar, ripërtëritja. Besoj siç edhe ju keni konstatuar, në Këshillin Kombëtar, Kryesi, por edhe të gjitha kandidaturat sot, kushdo që të fitojë ka shumë prurje të reja, veçanërisht nga të rinjtë, zonjat, dhe të rinj me kontribute të cilësueshme në PD. Jemi në një rrugë të mbarë, por që s’mbyllet këtu. PD e ka detyrim t’i përqaset ndryshimeve kohore dhe asaj çfarë kërkojnë jo vetëm demokratët, por shqiptarët, dhe të përgatitet për zgjedhjet e radhës”, tha Bozdo.
I pyetur për kritikat që flasin për forcimin e bërthamës së ngushtë drejtuese të Partisë Demokratike, deputeti demokrat theksoi se fokusi duhet të jetë te transformimi dhe përshtatja e partisë me kërkesat e kohës.
“Gjithmonë ka kritikë që flasin për diçka që nuk shkon në PD apo parti të tjera. S’jam i impresionuar nga ajo që thonë kritikët, sesa nga ajo që unë mendoj që PD duhet të bëjë për t’iu përshtatur kohës dhe sfidave. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Është një fillim i mbarë që tregon aftësinë dhe dëshirën e PD për t’u rigjeneruar. Sfidat përballë janë shumë të mëdha, e rëndësishme është që PD detyrat e saj t’i bëj mirë dhe këtu jemi në këmbë të mbarë”, u shpreh Bozdo. (A2 Televizion)