Gjykata Kushtetuese do të mbaje më 17 Dhjetor seancën se për cilën bashki do të votojnë ata që ndodhen në kushtet e paraburgimit apo po vuajnë dënimin. Shtyrja erdhi me kërkesë të Këshillit të Ministrave, që arsyetoi nevojën për më shumë kohë, pasi brenda Nëntorit i duhej të përgatiste qëndrimet institucionale për 4 çështje që presin gjykimin kushtetues, mes të cilave pagat e gjyqtarëve dhe marrëveshja e financimit me SHBA në fushën e mbrojtjes.
“Vlerësojmë se, për garantimin e së drejtës procedurale të Këshillit të Ministrave për të pasur një mbrojtje efektive, do të ishte e nevojshme vendosja në dispozicion e kohës shtesë për studimin e të paktën dy prej çështjeve të mësipërme dhe përgatitjen e parashtrimeve përkatëse”, thotë Këshilli i Ministrave.
Trupa ka pranuar t’i japë Këshillit të Ministrave 15 ditë kohë më shumë për të çuar me shkrim qëndrimet, ndërsa vendimi do të merret pa praninë e palëve.
Debati nisi pas garës vendore të vitit 2023 kur Kolegji Zgjedhor anuloi zgjedhjet në Bashkinë e Rrogozhinës, ku Edison Memolla fitoi me diferencë të ngushtë, duke marrë të gjitha votat e banorëve të burgut të këtij qyteti, ndonëse asnjë prej tyre nuk kishte vendbanimin në Rrogozhinë.
Për të zgjidhur konfliktin ligjor mbi vendbanimin e të burgosurve, në vitin 2024 Parlamenti ndërhyri në ligjin për Gjendjen Civile.
“Për shtetasit që kryejnë dënimin në institucionet e vuajtjes së dënimit apo janë vendosur në institucionet e paraburgimit ose shtetasit që qëndrojnë pa ndërprerje në institucionet shëndetësore për kurim afatgjatë dhe që përfshin qëndrimin e tyre në to edhe në datën e zgjedhjeve, vendbanim për qëllime të zbatimit të legjislacionit për zgjedhjet konsiderohet adresa e institucionit përkatës”, thotë neni 18, ligji për Gjendjen Civile.
Vendimi që do të marrë më 17 Dhjetor Gjykata Kushtetuese, do të impaktojë direkt në zgjedhjet e ardhshme vendore, përfshirë emrat VIP të politikës, ku mes të tjerëve, Erion Veliaj do të mësojë nëse do të hedhë votën për pasuesin e tij në krye të Tiranës, apo për kryebashkiakun e Fierit. (A2 Televizion)