Firmos sërish në SPAK, Berisha ftesë opozitarëve për front pa kushte

Nga Anesti Barjamemaj
16 Nëntor 2026, 13:44 | Politikë

Në derën e hapur nga Sali Berisha për dialog dhe bashkim opozitar nuk po troket askush, por sërish lideri demokrat nuk ngurron që të përsërisë ftesën për këdo që është kundër Edi Ramës.

“Ftojmë të gjithë faktorët të bashkohemi për të paraqitur së bashku një kuadër ligjor demokratik, një kuadër ligjor i cili në rast të një qeverie teknike apo qeverie kujdestare, u jep mundësi shqiptarëve të votojnë të lirë”.

Ftesa e Berishës plotësohet dita-ditës me elementë të rinj, ku këtë të hënë tregoi pikat ku opozitarët mund të bashkohen. Sipas tij Edi Rama nuk do të lejojë zgjedhje të lira në 9 Maj, por shton se kjo nuk duhet të jetë pengesë për një front të gjerë.

“Listat e hapura janë një përgjegjësi për të gjithë para të gjithë qytetarëve. Se ne jemi të bashkuar për një prag zgjedhor të pranueshëm nga të gjitha palët. Se ne jemi të bashkuar për garantimin e koalicioneve. Se ne jemi të bashkuar për masat më të rrepta ligjore për shkelësit e ligjit dhe krimit elektoral”.

Thirrja për bashkim këtë herë u bë nga pragu i SPAK ku ishte për masën detyrim paraqitje, ku përveç akuzave ndaj kryeministrit pati dhe një koment për Asamblenë e të shtunës.

“Në Asamble, fytyrat e tyre ishin secila më armiqësore ndaj Padrinos”.

Qytetarët i ftoi që të dalin në protestë, por sqaroi se përse nuk zbret edhe vetë ne shesh.

“Nuk dua që një protestë qytetare të quhet protestë e Berishës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos