Shqetësimet për procesin e votimit nga jashtë, demokratët shkuan t’ia thoshin sy më sy Ilirjan Celibashit. Përfaqësuesi i PD-së, Franci Nuri, renditi gjashtë raste të problemeve të hasura me dërgimin e zarfeve, ku ajo që u evidentua si më shqetësuese ishte mosdorëzimi i fletës së votimit në dorën e votuesit.
“Lënia e zarfit poshtë derës ose sipër kutisë postare, pra pa u siguruar për marrjen ose jo të zarfit, përfshi rastet pa verifikim identiteti. Rasti tjetër është dorëzimi i zarfeve jo te zgjedhësi, por te i afërmi i tij”, tha Nuri.
“Ky numër rastesh ku operatori i shërbimit postar nuk i qëndron protokollit, duhet të kuptojmë që është sporadik apo është një sjellje masive e këtij operatori”, tha Celibashi.
Të shqetësuar, demokratët ishin edhe për procesin e kthimit të fletës, duke nënvizuar se operatori postar, në disa raste, nuk kishte shkuar të merrte fletën mbrapsht. “Në një farë mënyrë zgjedhësit po kushtëzohen, o do ta nisin në pikën më të afërt të DHL-së, ose do të jetë me pagesë. Ne i kemi orientuar të shkojnë te DHL-ja, problemi është që pikat më të afërta, edhe në Bruksel, nuk ishin distanca të afërta. Flasim për 25-50 km”, tha Nuri.
Këto shqetësime Celibashi i mbajti shënim, duke premtuar shqyrtim të rasteve. “Na momenti që ne flasim nuk kemi marrë asnjë shqetësim nga subjekte të tjera dhe çfarë janë paraqitur nga ana juaj po i adresojmë si shqetësime”, tha ai.
Procesi i votimit nga jashtë ka përfunduar në fazën e parë, që lidhet me dërgimin e zarfeve me fletën e votimit brenda. Tani pritet kthimi i tyre, që do të konsiderohet i vlefshëm deri në orën 19:00 të 11 majit, kur mbyllen edhe qendrat e votimit në vend. Aktualisht, më pak se 4% e totalit ka mbërritur pranë KQZ-së. (A2 Televizion)