Refuzimi në bllok i institucioneve të drejtësisë për t’ju bashkuar nismës së PS në komisionin antikorrupsion, nuk ka penguar Fatmir Xhafajn për të vijuar me skanimin e problematikave kryesore në fushën e mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit.
I besuari i Edi Ramës për të reformuar shtetin modern u mundua ta relativizonte qëndrimin e titullarëve të institucioneve të drejtësisë, shkruan A2.
Pyetjes nëse qëndrimi refuzues në unison i institucioneve të drejtësisë mund të ishte i koordinuar, Fatmir Xhafaj i përgjigjet me dyshimin që ngre media.
Në dokumentin analitik nuk janë parashikuar ndryshime kushtetuese, por kryetari i komisionit të posaçëm nuk e mbyll derën për kërkesa të tilla.
Për të çuar përpara projektin e saj, mazhoranca ka nevojë për praninë e partnerëve ndërkombëtarë dhe gjithëpërfshirje ndaj opozitës, pavarësisht se në 5 muaj deputetët e pakicës parlamentare nuk kanë shkelur asnjëherë në komision, raporton A2.
Arkitekti i reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj nuk pranoi të përgjigjej për çështje të tjera, as për rastet kur me votën e tij ka refuzuar të zbatojë vendimet e Gjykatën Kushtetuese me qëllim që të mbronte kolegen e tij socialiste Olta Xhaçka. (A2 Televizion)