
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike rezultatet mbi pjesëmarrjen në zgjedhjet e sotme për kryetar bashkie në 5 bashki të vendit. Sipas të dhënave të KQZ, deri në orën 09:00 në të pesë bashkitë e vendit kanë votuar 2.37 % e zgjedhësve.
Siç duket edhe nga të dhënat e KQZ, Mati ka pjesëmarrjen më të lartë, ndërsa Vlora pjesëmarrjen më të ulët.
Në Vlorë kanë votuar 1.33 % e zgjedhësve, në Berat 2.35%, në Cërrik 2.9%, Mati 6.2% dhe Tepelena 4.4%.

Më herët edhe gazetari i A2 CNN në Vlorë Edi Ruçi raportoi pjesëmarrje të ulët në votime.
“Megjithëse kanë kaluar dy orë nga nisja e procesit të votimit në shumë qendra në Vlorë kjo është gjendja momentale e votave. Shumica e kutive të votimit janë bosh me një pakicë votash në brendësi. Interes tepër i ulët nga qytetarët për të votuar”.
Sipas tij në shkollën “Rilindja” në dy qendrat nr.4441 dhe 4441/1 nga dy orë e 30 minuta që ka kaluar nga procesi i nisjes së votimit janë diku te 15 vota.
Komisionerët shprehen se procesi është i qetë, po nuk ka votues. (A2 Televizion)
