Politologu Afrim Krasniqi e konsideroi "të turpshme" dhe "fatkeqësi të madhe" që elitat publike në Shqipëri kanë heshtur në raport me pushtetin.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Krasniqi theksoi se elitat publike shpesh kanë pranuar të kthehen në numra, në takime të mazhorancës apo partive të tjera.
“Një nga gjërat më të turpshme në këtë vend është se si është e mundur që elitat publike kanë heshtur. Si është e mundur që figura publike, që kanë një lloj përgjegjësie publike, jo vetëm kanë heshtur, por kanë pranuar të jenë numra në takimet e qeverisë apo partive politike”, tha Krasniqi.
“Duhet të vijë një moment ku njeriu duhet të thotë që rron për një fytyrë, rron për një emër, rron për një trashëgimi dhe duhet të dijë të bëjë diferencën. Një vend ku elitat publike zgjedhin qeverinë, edhe sikur qeveria të jetë në rrugë të drejtë, është një fatkeqësi e madhe për atë vend. Ne vazhdojmë funksionojmë si shoqëri demokratike, por me mentalitet komunist, dhe është e vështirë që të ketë ndryshime drastike. Por ndryshimi mund të vijë shumë shpejt. Asnjë s’e ka pritur numrin e protestës”, u shpreh ai. (A2 Televizion)