Kryeministria reagon për statusin e Tabakut që i atribuohet Ramës: I rremë, përpjekje për keqinformim

Nga A2 CNN
30 Gusht 2026, 17:46 | Politikë

Kryeministria reagon për statusin e Tabakut që i atribuohet

Agjencia për Media dhe Informim ka reaguar për një postim të shpërndarë nga Jorida Tabaku, ku në emër të Edi Ramës pretendohej se qeveria nuk do ta shfuqizonte ligjin për Zonat e Mbrojtura, pasi “populli shqiptar ka zgjedhur rrugën e referendumit”.

Në postimin e Tabakut pretendohej gjithashtu se Rama kishte shkruar që qeveria do të respektonte “vullnetin e sovranit” dhe se nëse në shtator do të pyetej përse ligji nuk ishte shfuqizuar, përgjigjja e tij do të ishte se “populli ka vendosur që të vendosë vetë”.

Në reagimin e Agjencisë për Media dhe Informim sqarohet se teksti i atribuar kryeministrit Edi Rama është i falsifikuar dhe nuk është publikuar prej tij.

MIA i kërkoi Tabakut ta tërheqë postimin dhe të kërkojë ndjesë, duke e cilësuar këtë si përpjekje për keqinformim të opinionit publik. Por duket se Tabaku e ka fshirë postimin, pasi nuk gjendet më në rrjetet e saj sociale.

Në foton që ka ndarë MIA, nga postimi i Tabakut, kjo e fundit akuzonte kryeministrin se po përdorte referendumin si justifikim për të shmangur përgjegjësinë, pasi Parlamenti Europian, sipas saj kishte kërkuar shfuqizimin e ligjit. Ajo shkruante gjithashtu se kur socialistët e votuan ligjin, “nuk e pyetën popullin”, ndërsa tani kryeministri, sipas saj, “kujtohet për sovranin”.

Reagim - Agjencia për Media dhe Informim

Znj. Jorida Tabaku ka ripostuar një status të paqenë, të atribuar në mënyrë të rreme Kryeministrit Edi Rama.

Do të ishte e udhës që, për hir të së vërtetës dhe respektit ndaj publikut, znj. Tabaku ta tërhiqte këtë ripostim dhe t’u kërkonte ndjesë të gjithë atyre që mund të kenë rënë në kurthin e këtij falsifikimi.

Në sqarim të medias dhe opinionit publik, bëjmë me dije se përmbajtja e atij teksti nuk ka asgjë të vërtetë dhe nuk është publikuar nga Kryeministri Edi Rama.

Përpjekje të tilla për të fabrikuar deklarata dhe për t’ua atribuar ato zyrtarëve publikë janë një tjetër shembull i keqinformimit që synon të manipulojë opinionin publik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos