Kryeministri Rama mblodhi sot drejtuesit politikë dhe deputetët e qarkut të Tiranës në një nga restorantet në periferi të kryeqytetit. Dreka e punës ishte vijimi i mbledhjeve që kryesocialisti ka bërë me ministra dhe drejtues të partisë për strategjinë e re të Partisë Socialiste për sjelljen me qytetarët para zgjedhjeve vendore.
“Me deputetët dhe drejtuesit e tjerë të njësive organizative të Partisë Socialiste të qarkut Tiranë patëm një diskutim të dobishëm për organizimin e pranisë besnike, metodologjinë e Besës dhe sistemin e ri të Pasqyrë Albania, duke hedhur një hap të nevojshëm në përgatitjen e sezonit të ri politik të Partisë Socialiste”, shkruan në postimin e tij në rrjetet sociale kryeministri Rama.
Në dokumentin e paraqitur theksohet se nuk është sfidë vetëm beteja për faktet, por lufta për perceptimin e realitetit. Sipas socialistëve, kurrë nuk ka qenë më e vështirë të dallohet se çfarë duhet besuar dhe, në leksionet e tyre të brendshme, spikasin tre pika, sipas të cilave një manipulim mund të ushqehet nga një pakënaqësi e vërtetë, një ndjenjë mund të kthehet në fakt nga përsëritja dhe një pakicë e zhurmshme mund të duket si shumicë.
Ky dokument është prezantuar edhe nga drejtuesit politikë në qarqe të tjera gjatë ditës së sotme.
Takimi i Tiranës vjen një ditë pasi, nga paraburgimi, kryebashkiaku Erjon Veliaj la Bashkinë e Tiranës pa një kryetar të komanduar, duke ia hequr këtë kompetencë nënkryetares Anuela Ristani.
Për Bashkinë e Tiranës ka nisur një debat në radhët e socialistëve se kush do të jetë kandidati i kësaj force politike për zgjedhjet e vitit 2027. Përpos Gerta Manastirliut, emri i së cilës u propozua nga Edi Rama shtatorin e shkuar, është vetëofruar edhe Erjon Braçe.
Deputeti i Tiranës vazhdimisht bën thirrje për një proces gare brenda partisë për të zgjedhur kandidatin që do të përfaqësojë Partinë Socialiste në bashkinë më të madhe në vend. (A2 Televizion)