Kthupi: Nëse Veliaj ankimon, Presidenti nuk dekreton dot datë për zgjedhje

Nga A2 CNN
12 Shtator 2025, 15:01 | Politikë

Juristi Rezart Kthupi, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit” të mesditës nga Bruna Çifligu, në A2 CNN, komentoi çështjen e Bashkisë Tiranë pas propozimit të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste.

“Procedura është e tillë: Këshilli Bashkiak do të mblidhet për të marrë një vendim në lidhje me propozimin për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj. Këshilli i Ministrave do të mblidhet nga ana e tij për të marrë një vendim për shkarkimin e kryebashkiakut, që duhet të publikohet në Fletoren Zyrtare. Pasi publikohet nis afati për ankimimin e tij në Gjykatë Kushtetuese. Është afat 30-ditor. Nëse nuk ka ankimim, Presidenti i Republikës ka tagrin që të dekretojë datën e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë. Por, nëse ka një ankimim në Gjykatën Kushtetuese, Presidenti nuk mund ta shpallë datën e zgjedhjeve sepse vendimi i Këshillit të Ministrave akoma nuk ka marrë formë të prerë përsa kohë është në procedurë gjyqësore”, shpjegoi Kthupi.

“Të shikojmë pastaj se çfarë do të bëjë zoti Veliaj sepse është i vetmi faktor që nuk njohim. A do ta ankimojë vendimin e Këshillit të Ministrave apo jo”, shtoi Kthupi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos