Kuvendi i ri, halle të vjetra... Demokratët e nisin me protestë edhe legjislaturën e re

Nga Anesti Barjamemaj
12 Shtator 2025, 14:59 | Politikë

Pas 4 muajsh pritje, deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 Majit u mblodhën në seancën e parë në Kuvend. Hyrja në Kuvend dukej e qetë, por në sallë situata nuk ishte e njëjtë.

Seancën e hapi deputeti i Partisë Socialiste Vasil Llajo, pas refuzimit të Sali Berishës për ta bërë këtë si deputeti më i vjetër në moshë, shkruan A2 CNN. Por profili i urtë i deputetit Llajo nuk e shoi zemërimin e demokratëve në seancë.

Deputetët e PD gjatë fjalës së tij mbanin në duar pankarta me mbishkrime kundër ministrave të prezantuar nga Edi Rama një ditë më parë në Asamblenë e Partisë Socialiste. Protesta nuk u bë vetëm në letër, por demokratët nisën dhe aksionin e tyre duke bllokuar foltoren. Shkak u bë ndërprerja e fjalës për Sali Berishën nga kryesuesi i seancës socialisti Vasil Lllajo.

Bllokimi i demokratëve zgjati pak, pasi seanca u mbyll dhe akuzat u artikuluan jashtë sallës. Deputetët më pas u larguan për t’u rimbledhur edhe njëherë pasdite, ku do të betohen për të marrë zyrtarisht mandatin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos