Kumbaro nga Tepelena: Moti me shi pengesë për qytetarët, por pjesëmarrja në zgjedhje e kënaqshme

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2025, 15:32 | Politikë

Nga Tepelena, ku po ndjek nga afër procesin e zgjedhjeve të pjesshme vendore, ministrja Mirela Kumbaro deklaroi se gjithçka po ecën në mënyrë të rregullt dhe pa probleme.

“Procesi ka nisur që në orën 7 të mëngjesit dhe deri tani çdo gjë ka rrjedhur normalisht. Nuk kemi pasur asnjë problematikë. Megjithëse moti me shi e vështirëson paksa lëvizjen e qytetarëve, pjesëmarrja është e mirë, sidomos në krahasim me të njëjtin orar gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025 apo atyre vendore të vitit 2023”, tha Kumbaro.

Deputetja socialiste shtoi se në të gjitha qendrat e votimit procesi po vijon pa pengesa dhe u bëri thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë orët e mbetura për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.

“Ftoj të gjithë banorët e Tepelenës që të dalin dhe të votojnë. Çdo votë ka rëndësi, dhe çdo tepelenas duhet të shprehë vullnetin e tij për mënyrën se si dëshiron të drejtohet bashkia në muajt dhe vitet e ardhshme”, u shpreh ministrja.

Sa i përket pritshmërive për pjesëmarrjen, Kumbaro theksoi se Tepelena ka treguar gjithmonë stabilitet në këtë aspekt, pavarësisht numrit të lartë të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Në listat e votuesve janë rreth 12 mijë emra, por një pjesë e madhe ndodhet në emigracion apo në zona të tjera të Shqipërisë. Megjithatë, disa kanë ardhur posaçërisht për të votuar, sepse kjo është edhe një ngjarje që bashkon komunitetin. Tepelenasit, kudo që ndodhen, e ndjekin me interes çdo zhvillim në zonën e tyre. Deri tani, pjesëmarrja është në nivele të kënaqshme", përfundoi Kumbaro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos