
Mënyra se si do të bëhen pyetjet ndaj drejtuesit të SPAK, Altin Dumani dhe atij të Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çelaj, ka shkaktuar debat të fortë në Kuvendin e Shqipërisë. Socialistët kërkojnë që pyetjet të dorëzohen me shkrim dhe Dumani e Çelaj të përgjigjen pas raportimit. Kjo ka sjellë kundërshtimin e demokratëve, të cilët kërkojnë të drejtojnë pyetje dhe të marrin përgjigje.
“Kjo është një praktikë parlamentare”, tha kreu i Kuvendit Niko Peleshi, duke sjellë reagimin e palës tjetër. “Në 20 vite Prokurori i Përgjithshëm ka raportuar në këtë mënyrë”, tha kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. “A e mban mend Sali, kur raportonte Ina Rama (ish-prokurore e përgjithshme) dhe ti ikje nga salla? E mban mend ti Jozi (Jozefina Topalli)?”.
Berisha iu përgjigj Ballës duke i lexuar disa pjesë që sipas tij dalin nga përgjimet e përftuara nga organet e drejtësisë nga aplikaiconet SKY ECC, ku sipas tij përmendet vetë emri i deputetit dhe ish-ministrit të Brendshëm. “Targeti informoi PIN-in xxx se kishin rëndë dakord të mos i këkron Taos tendera të tjerë përveç atyre që kishin rënë dakord. Ky mesazh iu përcoll Taos dhe i dhanë afat deri në dhjetor. Tao u përgjigj: E garanton që këta njerëz do të votojnë por nëse vendosim në listë, ata që do ata në burg. Përgjigja ishte: Po e garantojmë këtë. Më pas Tao tha: Ata do të shkojnë në burg këtë vit”. (A2 Televizion)
