Ngritja e dy komisioneve në Kuvend, Berisha: Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira

Nga A2 CNN
27 Tetor 2025, 10:54 | Politikë

Ngritja e dy komisioneve në Kuvend, Berisha: Me Edi Ramën nuk ka

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sqaruar votën në Kuvend të grupit të PD për ngritjen e komisionit zgjedhor dhe atij të reformës territoriale.

Berisha bën me dije se PD kërkon adresimin e rekomandimeve  të OSBE-ODIHR për zgjedhjet dhe zhbërjen e reformës aktuale territoriale, të cilën e konsideron antikushtetuese.

“Së pari janë një seri e pafundme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të cilat ne i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme.

OSBE/ODIHR ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi në mënyrë përfundimtare si një farsë e shëmtuar zgjedhore, zgjedhjet e 11 majit.

Në këtë kontekst, ne ndjehemi të detyruar ndaj tyre që orientimet e drejta dhe rekomandimet e drejta, t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë se në mënyrë absolute me Edi Ramën, shqiptarët nuk do votojnë kurrë si qytetarë të lirë. Kjo është e vërteta.

Së dyti, reforma territoriale ishte një antireformë, në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale. Mjafton të rikujtoj këtu se qarku i Gjirokastrës me 120 mijë banorë ka 7 njësi, qarku i Tiranës me mbi 1 milion banorë ka 4 njësi.

Sigurisht që ne do bëjmë gjithçka që këto padrejtësi maksimale të largohen, të anulohen dhe kjo me ndihmën e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Pra, kjo është arsyeja se pse ne i votuam këto dy komisione, ndonëse me bindjen më të thellë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, me Edi Ramën nuk ka votë të lire”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos