Ka nisur me tensione seanca e fundit e kësaj legjislature, pasi deputetja demokrate Zheni Gjergji mori fjalën për të folur për zjarrin në fushën e mbetjeve në Elbasan. Por kryetarja e Kuvendit nuk e lejoi me argumentin se nuk ishte çështje për procedurë.
Pas kësaj deputetja demokrate mbajti për pak minuta të bllokuar foltoren dhe u përfshi në debate me Spiropalin.
“Zjarri në Elbasan është një alarm i fortë për gjendjen dramatike të mjedisit dhe pasojë e dështimit të projektit të inceneratorit”, deklaroi Gjergji.
“Mos abuzo me procedurën...”, iu përgjigj Spiropali, përcjell A2 CNN.
Kuvendi zhvillon sot seancën e fundit plenare të legjislaturës së 10-të. Deputetët do të vazhdojnë të mbajnë mandatin deri në shtator, kur do të konstituohet legjislatura e te, por nga java e ardhshme nuk do të kenë më ‘fuqi’ për të miratuar ligje.
Seanca nisi në orën 10:00 dhe në rend dite janë një sërë projektligjesh, mes tyre Strategjia Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja, e cila mori “Ok” pak ditë më parë në Komisionin për Dezinformimin, si dhe akti normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2025. Po ashtu, në rend dite është edhe raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) për vitin 2024, shkruan A2 CNN.
Krahas rendit të ditës, diskutime pritet të ketë edhe për zgjedhjet e 11 majit, të cilat opozita i ka cilësuar si farsë elektorale. (A2 Televizion)