Rama jep lajmin për fermerët: Kemi krijuar linjë kredie 250 mln euro me BSH me interes fiks deri në 2 %

Nga A2 CNN
2 Korrik 2025, 20:16 | Politikë

Kryeministri Edi Rama është shprehur se është arritur me këmbënguljen e qeverisë që të krijohet një linjë kredie e Bankës së Shqipërisë, 250 milionë euro, që fokus ka bujqësinë.

Komentet Rama i bëri gjatë një takimi për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, ku sot ishte vetëm dita e parë e dialogut me qytetarët, i cili do të shtrihet më gjatë në kohë, shkruan A2 CNN.

Rama ka dhënë një mesazh edhe për bankat e nivelit të dytë lidhur me kredinë për bujqësinë, teksa theksoi se interesi duhet të jetë nga 0.5 deri në 2 %, sepse sipas tij, bankat e kanë firmosur këtë kontratë me shtetin.

"Është arritur që me këmbëngulje nga qeveria të krijohet një linjë kredie e Bankës së Shqipërisë, 250 milionë euro, që fokus ka bujqësinë. Tani që ne ta kemi këtë linjë kredie nga Banka e Shqipërisë dhe të aksesohet fuqimisht, duhet nivel i lartë informimi për fermerët dhe një mesazh i qartë për bankat e nivelit të dytë.

Mesazhi për bankat e nivelit të dytë është se duhet t’i japin kreditë për bujqësinë me interes nga 0.5 % deri në 2 përqind, jo në 3.5 %. Tani flas për bujqësinë, 3.5 është ndërmarrje të tjera. Asnjë presje më shumë, duhet të jenë shumë të qarta bankat e nivelit të dytë.

Përsa i përket riskut është garancia e qeverisë, duhet të jetë dhe bashkëpunimi i pushtetit vendor në këtë proces. Edhe për këtë arsye ne kemi folur më parë që të ngarkojmë bashkitë në sipërmarrjen bujqësore, e bëjnë të gjitha bashkitë e planetit. Drejtuesit e qarqeve të bëjnë punën e tyre ku të krijojmë nuklin e pare”, tha mes të tjerash Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos