“Historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh”, Rama prezanton Ina Majkon: Spikati në skuadrën e 11 majit

Nga A2 CNN
3 Korrik 2025, 09:11 | Politikë

“Historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh”,

Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Facebook, ka prezantuar Ina Majkon në postin e zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Ina MAJKO është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Ajo sapo është zgjedhur zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS 2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit”, lexohet në postimin e kreut të qeverisë, shkruan A2.

Postimi i plotë i Edi Ramës:

Ina MAJKO është prurja e parë, ndër shumë të tjera në vijim të rrugës së re që hapi 11 maji, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian.

Ajo sapo është zgjedhur zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS 2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit.

Ina erdhi në skuadrën tonë si një përzgjedhje nga komuniteti Rom dhe si e para përfaqësuese e këtij komuniteti në nivelin e kabinetit qeveritar në historinë e vendit, ajo do të mbulojë pikërisht çështjet e njerëzve më në nevojë të shoqërisë në fushën e Mbrojtjes Sociale.

Historia e Ina Majkos është historia e një fëmije të rritur mes paragjykimesh e vështirësish të mëdha ekonomike dhe historia e një vajze të talentuar, plot energji e vendosmëri për t’ia dalë, e cila jo vetëm kreu me rezultate të larta studimet jashtë vendit dhe flet pesë gjuhë të huaja, por edhe u bë një zë i bukur i komunitetit të saj në platformat sociale.

Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos