Kryeministri ka urdhëruar Ministrinë e Bujqësisë që të pezullojë punën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Sipas Ramës, AKU është kthyer në shqetësim të madh për sipërmarrësit dhe konsumatorët. Kryeministri njoftoi po ashtu se qeveria do të ndërhyjë në sektorin e naftës duke vendosur një çmim të arsyeshëm, shkruan A2 CNN.
“Duhet menjëherë të pezullohet veprimtaria e AKU-së. AKU-ja duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdojë të veprojë sepse më shumë sesa mirë bën dëm, duhet pezulluar AKU-ja dhe duhet ngritur një komision i posaçëm për të marrë në analizë të gjitha burimet njerëzore të AKU-së dhe procesi i bashkimit të inspektoriateve të ndryshme që është vendosur me ligj duhet të kalojë nga një proces i seleksionit të burimeve njerëzore që do të merren me inspektime.
Problemi i naftës i ngrit sërish. Ne po përgatitemi të ndërhyjmë në sektorin e naftës për të vendosur një ekuilibër të ri çmimi për konsumatorët. Këtë e kemi studiuar për një kohë të gjatë dhe e shohim të mundshme dhe të bëshme. Besoj brenda këtij viti do të jemi pjesë si qeveri në importin e naftës dhe shpërndarjen e naftës në bashkëpunim me të gjithë aktorët e tjerë, të cilëve do tua bëjmë jetën më të lehtë sepse do të kenë qeverinë si garante të importit dhe të furnizimit. Kjo gjë do të na vërë ne në pozitën ku do të mund të përcaktojmë një çmim më të arsyeshëm sesa çmimi aktualisht i naftës në Shqipëri”, tha Rama. (A2 Televizion)