Tom Doshi dhe Sabina Jorgo, të dy pjesë e listës së Partisë Social Demokrate (PSD) në zgjedhjet e 11 majit, kanë hequr dorë nga mandatet e deputetëve.
Doshi dhe Jorgo kanë kandiduar në listat e mbyllura të PSD-së në Shkodër, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se Tom Doshi është shpallur 'non grata' nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pak vite më parë.
Ditën e sotme, është mbajtur seanca e parë parlamentare e këtij sesioni të ri, ku po betohen të gjithë deputetët e zgjedhur në 11 maj.
Vendimi i Doshit dhe Sabina Jorgos ka ardhur pak para se të rifillonte mbledhja e Kuvendit, për betimin e ligjvënësve.
Ndërkohë gjatë paradites së sotme, seanca plenare u shoqërua nga tensione dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, me Partinë Demokratike që nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, pavarësisht vendimit për të hyrë në Kuvend.
Po ashtu, sjellim në vëmendje se më herët në korrik, PSD e Tom Doshit kërkoi djegien e mandateve të listës së mbyllur në Tiranë, kërkesë që u pranua nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.
Ky vendim bëri që mandatin e PSD-së në Tiranë ta marrë kandidati më i votuar nga lista e hapur, Tedi Mula, shkruan A2 CNN.
(A2 Televizion)