Në këtë mandate të ri Edi Rama përveç detyrës si Kryeministri do të përfaqësojë dhe mbajë përgjegjësi edhe Diellën, ministrinë virtuale, risia e kabinetit të qeverisë së re.
Presidenti Bajram Begaj e mandatoi Edi Rama si kryeministër për të formuar qeverinë, por në dekret, kreu i shtetit e firmosi Ramën si jo vetëm si Kryeministër dhe si përgjegjës për ngritjen dhe funksionimin e Ministrisë së Inteligjencës Artificiale “Diella”.
Zyra e komunikimit e kreut të shtetit nuk dha ndonjë sqarim për takimin 80 minutësh Rama-Begaj, por publikoi fotot e dekretimit të Ramës edhe si Kryeministër edhe si Diella.
Ky veprim solli reagimin e kryetarit te grupit të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi që më shumë se Ramën, sulmoi Presidentin si ushtar të tij.
“Dekreti i Presidentit të Republikës për të ngarkuar Kryeministrin me ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual "Diella", përveçse qesharak, është tërësisht antikushtetues. Ministër mund të emërohet: shtetasi shqiptar; që ka mbushur 18 vjeç; dhe është i aftë mendërisht. Cilat nga këto cilësi ka ministrja "Diella"?! Karagjozllëqet e Kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar. Ushtar Bajrami po tenton ta shndërrojë Republikën në një palaçollëk, siç është ai vetë”, u shpreh Bardhi.
Por Kreu i Shtetit duket se nuk ka patur pikëpyetje mbi funksionimin e kësaj ministrie virtuale dhe ka sqaruar se Edi Rama, do të jetë Diella, si përfaqësues fizik në bazë të Kushtetutës.
“Presidenti i Republikës ka dekretuar vetëm Kryeministrin. Ministrat do të dekretohen në një ditë të mëvonshme. Dekretimi i Kryeministrit bëhet sipas propozimit të partisë fituese në zgjedhje. Neni 2 i dekretit e ngarkon Kryeministrin me një funksion specifik, gjithashtu sipas të njëjtit propozim. Sa i takon referencave për nenet 102 dhe 103, Kryeministri i plotëson kushtet dhe kërkesat e parashikuara në këto dy nene”, shkruhet në reagimin e Presidencës.
Shefi i qeverisë i ka dorëzuar kreut të shtetit edhe listën njerëzore të Ministrave të rinj, të cilët Presidenca do të verifikojë emrat e rinj dhe më pas t’i dekretojë.
Edi Rama ka 10 ditë kohë për të prezantuar programin qeverisës dhe ministrat e tij, që më pas qeveria të betohet mbi Kushtetutë përpara Kreut të Shtetit. Një procedurë që i hap rrugë funksionimin zyrtar të Rama 4. (A2 Televizion)