A lihet duhani me çaj? Promovimi online për “ilaçin çudibërës”, ekspertët: Është mashtrim

Nga Armend Pire
12 Shtator 2025, 19:47 | Aktualitet

A lihet duhani me çaj? Promovimi online për “ilaçin

Dy shishe, 19 euro, posta falas. Ky është produkti që po reklamohet në rrjete sociale si ilaçi magjik kundër lënies së duhanit. Bashkë me të edhe disa çajra bimor të cilët qartësisht lexojnë “antiduhan”. Produkte joshëse për të gjithë përdoruesit e duhanit të cilët kërkojnë të heqin dorë njëherë e mirë nga varësia e tij.

Por a janë realisht të dobishëm për të lënë duhanin këto produkte. 

“Nëse OBSH do të kishte zbuluar se këto çajra do të linin duhanin dotë ishte zhvillimi dhe fitorja më e madhe në shëndetin publik në nivel botëror. Por OBSH jep preparate, produkte dhe trajnime të ndryshme në këtë drejtim si mund t’i ndihmojmë duhanpirësit që të lënë duhanin.  Ato që shkruhen nëpër rrjete sociale, që shiten disa produkte, çajra që gjoja lënë duhanin, ato nuk janë të drejta”, shprehet Robert Shuperka.

Për specialisten e bimëve medicinale, Leonora Merja, nuk ka çajra çudibërës në lënien e duhanit, teksa shpjegon se cilat bimë mund të ndihmojnë trupin dhe qytetarët në reduktimin e pirjes së duhanit. 

“Ekzistojnë disa çajra që ndihmojnë në lënien e duhanit. Ato të krijojnë ndjesinë e ngopjes, siç është tërfili ngjyrë mishi dhe sherebela. Këto dy bimë kanë edhe aroma të forta dhe ndjesinë e ngopjes, këto të dyja bëjnë që personi fillon dhe e lë dalëngadalë duhanin”, shprehet Merja.

Përveç si çaj, këto dy bimë mund të përdoren edhe si lëndë djegëse për të krijuar një cigare aromatike. 

“Personat mund t’i përdorin këto t’i bashkojnë në raport 50% tërfili ngjyrë mishi, 30% duhan dhe 20% sherebelë, e bashkojnë në një cigare. Konsumojnë atë jo më cigaren që ka 100% duhan. Në këtë mënyrë ata nuk thithin nikotinën por aromën e bimës”, shton Merja.

Mjekësia alternative rekomandon dhe çajrat qetësues me bazë mente, livando apo nenexhiku që pastrojnë rrugët e frymëmarrjes  apo edhe ushqimet pikante, të cilat bëjnë që përdoruesit e duhanit të humbasin shijen origjinale të tymosjes.

Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të përdoruesve të duhanit me afro 25% të popullsisë madhore si konsumues. Mjekët kanë ngritur alarmin se duhanpirja është shkaku i të paktën 7 tumoreve në trupin e njeriut, kuvendin e parë e zë tumori i mushkërive.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos